Deda: Marrëveshje me kompromise të dyanshme

“As Kosova as Serbia nuk do të fitojnë. Veriu do të mbetet në Kosovë, kurse do të kundërshpërblim do të formojë Asociacionin e komunave serbe me kompetenca më të buta apo pak më të forta. Disa sigurisht se do të mllefosen, e disa do të jenë të lumtur që më në fund u zgjidh problemi dhe që të gjithë t’i kthehemi jetës zhvillimit të shoqërisë”, ka thënë Deda për gazetën Danas.
I pyetur nëse qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Hashim Thaçit do të ketë fuqi të zbatojë marrëveshjet, Deda ka thënë se Qeveria e Kosovës është e varur nga përkrahja ndërkombëtare prandaj do të zbatojë gjithçka që duhet.
“Qeveria e Kosovës nuk e ka shumicën në parlament, por po qëndron artificialisht në pushtet pikërisht për shkak të dialogut (me Beogradin). Mendoj se sa i përket Prishtinës nuk do të problem sa i përket zbatimit. Qeveria është tepër e dobët dhe e varur nga përkrahja e jashtme", tha Deda.
Në pyetjen se sa do të jenë të qëndrueshme marrëveshjet eventuale në qoftë se, siç thotë pala serbe, Prishtina falë përkrahjes së SHBA-së nuk është dashur të bëjë kompromis, Deda ka thënë se kjo është vetëm një deklaratë për përgatitjen e opinionit publik.
"Fatkeqësisht nuk ekziston guximi që sinqerisht dhe qartë të thuhet se çka po ndodhë dhe për çka po bisedohet në Bruksel. Mendoj se shoqëria në Serbi është e gatshme të dëgjojë këtë dhe tashmë e di realitetin dhe të vërtetën e cila duhet t’i thuhet, sikurse edhe pushteti i Kosovës që duhet të tregojë se çfarë kompromisesh po bëhen. Prandaj organizatat jo qeveritare, fatkeqësisht, do të jenë të detyruara t’ia thonë opinionit kosovar dhe atij serb se cila është esenca e marrëveshjes në qoftë se ajo arrihet”, tha Deda. /Telegrafi/




















































