LAJMI I FUNDIT:

Debati parlamentar për rritjen e çmimeve, Mustafa: Në disa produkte ushqimore kostoja ka arritur deri në 83 për qind

Debati parlamentar për rritjen e çmimeve, Mustafa: Në disa produkte ushqimore kostoja ka arritur deri në 83 për qind

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa në debatin parlamentar për rritjen e çmimeve tha se kostoja në disa produkte ushqimore ka arritur deri në 83 për qind.

Sipas Mustafës, qytetarët janë nxënë ngushtë lidhur me shtrenjtimin e çmimeve.


“Inflacioni në Kosovë ka tejkaluar 12.5 për qind për muajin maj, po i presim të dhënat për qershor, ku me gjasë do të janë më të larta. Në disa produkte ushqimore kjo rritje e çmimeve është kaluar deri në 83 për qind. Në vaj luledielli, çmimi i fundit është rreth 3 euro, vezët me 3.25 euro, qumështi me 1.15 euro, miell gruri me 16 euro për 25 kilogramë, buka prej 50 deri 60 cent, e kështu me radhë”, tha Mustafa.

Ai theksoi se rritja e çmimeve të derivateve përbën rreth 70 për qind të produkteve ushqimore.

“Çmimi i derivateve përbën diku rreth 70 për qind të produkteve ushqimore. Rritja e tyre, rrit koston e transportit e rrjedhimisht rrit pothuajse të gjitha produktet në treg. Rrjedhimisht në ndërtimtari kemi rritje të çmimeve deri në 24.6 për qind, te prodhimi 9.7 për qind të kostos duke ulur kështu konkurrueshmërinë e kompanive vendore. Ndërsa, te produktet që importohen nga shtete tjera, kemi një inflacion prej 21.8 për qind”, theksoi ai.

Mustafa tha se propozimi i LDK-së është mjaftë i thjeshtë dhe përbën dy masa konkrete.

“Propozimi i LDK-së është mjaft i thjeshtë, ku kemi të bëjmë me dy masa konkrete. Fillimisht reduktimi i akcizës dhe TVSH-së për një periudhë tremujore, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj sipas rrethanave të tjera ndërkombëtare, si dhe të zgjerohet lista e produkteve me TVSH të reduktuar”, tha Mustafa.

Në fund, ai tha se qytetarëve po iu rritet kostoja e jetesës.

“Pagat nuk kanë ndonjë rritje të ndjeshme dhe qytetarët janë të nxënë ngushtë. Njërën anë kanë çmimet që po rriten çdo ditë dhe në anën tjetër pagat që nuk po rriten dot. Qytetarëve të Kosovës po iu rritet kostoja e jetesës në ushqim, në veshmbathje, në derivate dhe në energji elektrike”, përfundon ai. /Telegrafi/