LAJMI I FUNDIT:

Debate për pozicionin e Kosovës në konfliktin Izrael-Palestinë

Debate për pozicionin e Kosovës në konfliktin Izrael-Palestinë

Derisa situata në Gaza vazhdon te jetë e rënduar dhe konflikti ka hyrë në ditën e 10-të, SHBA ka shtuar presionin për një armëpushim.

Ngjarjet po përcillen nga e gjithë bota përfshirë edhe Kosovën.

Në “Debat Plus”, penalistët kanë komentuar pozicionin e Kosovës në raport më këtë konflikt.

Ish-zëvendësministri Anton Berisha thotë se pozicionimi i Kosovës në krahë të Izraelit ishte i duhur por i vonuar.

“Pas reagimit të SHBA-së dhe disa kombeve të lira, Qeveria e Kosovës është dashur të reagojë menjëherë…U pa edhe reagimi i Izraelit pasi ky shtet menjëherë falënderoi me flamuj shtetet që u rreshtuan të parët në krahë të tij. Megjithatë ma mirë një reagim i vonë se hiq”, deklaroi Anton Berisha, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi thotë se reagimi i Qeverisë së Kosovës për këtë konflikt është skandaloz.

“Kosova është dashur të mbajë anën e drejtësisë. Kosova për fat të keq u rreshtua në anën e një regjimi të padrejtë…Bashkimi Evropian ka kërkuar që të ndalet dhuna mes palestinezëve dhe Izraelit. Edhe Kosova është dashur të mbajë këtë pozicion si BE”, deklaroi Kelmendi.

Gazetari Ridvan Berisha thotë se reagimi i Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas telefonatave që qeveritarët kanë pasur me aleatët tonë strategjik.

“Është deklaratë e vonshme, por e përgëzojë qeverinë për këtë deklaratë. Do ta përgëzoja Qeverinë Kurti edhe nëse do ta shpallte Hamasin si organizatë terroriste. Miqtë nuk është e lehtë të bëhen”, deklaroi më tej Berisha.

Zyrtari i PSD-së Zgjim Hyseni, thotë se Kosova është dashur ta trajtojë problemin në fjalë në raport me lirinë dhe okupimin.

“Pos Administratës Trump, të gjitha institucionet tjera ndërkombëtare e quajnë kolonizim vendosjen e izraelitëve në territoret palestineze”.

Hyseni thotë se bombardimi i popullsisë civile nga ana e ushtrisë izraelite ka qenë i padrejtë.

Ai thotë se Netanjahu sot rrezikohet me ra prej pushtetit dhe sipas tij për këtë arsye atij i konvenon kjo situatë.

Xhevdet Pozhari thotë se Gaza mbetet një burg i hapur dhe sipas tij çdo bombardim që bëhet në atë territor  prek civilët./Telegrafi/