"Deadline" – Koreografia që sjell sfidat e gazetarisë në skenë: Trupa e Baletit Kombëtar shkëlqejnë me performancën, përkundër kushteve të vështira

Mbrëmë, në Sallën "Atelie" të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, u shfaq baleti eksperimental "Deadline", një vepër që sjell një kombinim të fuqishëm të lëvizjes, muzikës dhe dramaturgjisë.
Koreografia dhe koncepti i kësaj shfaqjeje janë realizuar nga Sead Vuniqi, një emër i njohur në botën e baletit, i cili ka sjellë në skenë një interpretim artistik mbi sfidat e gazetarisë, intrigat dhe problemet me të cilat përballen reporterët ndër vite.
Një koncept i zhvilluar me kujdes

Sead Vuniqi, koreografi dhe konceptuesi i shfaqjes, në një intervistë për Telegrafin, shpjegoi procesin e krijimit të kësaj shfaqjeje dhe sfidat e saj:
“Qysh në fillim, e kam vënë konceptin dhe e kam zhvilluar gjatë një periudhe të gjatë bashkë me dramaturgun. Provat i kemi filluar në dhjetor me ndihmën e asistentëve dhe balerinëve, duke ndërtuar materialin artistik me shumë përkushtim. Puna intensive ka vazhduar në Pejë, ku kemi finalizuar çdo detaj nga koreografia te skenografia. Sfida më e madhe ka qenë realizimi i shfaqjes në kushte jo të favorshme teatrore, por me ekipin tonë të përkushtuar kemi arritur të sjellim një performancë që përçon mesazhin e duhur te publiku”.

Ai gjithashtu theksoi se "Deadline" është frymëzuar nga gazetaria e viteve 1920-1930, duke sjellë në skenë një përzierje të së kaluarës dhe të tashmes:
"Para se të ndërtoja këtë koncept, kisha menduar për një qasje tjetër, por më pas u fokusova te gazetaria në vitet '20-'30 dhe ndikimin e saj në publik. Kjo periudhë ishte e rëndësishme për zhvillimin e medias dhe informacionit, prandaj vendosa të sjell këtë atmosferë në balet”.
E duke folur për sfidat e Baletit Kombëtar lidhur me mungesën e Teatrit Kombëtar dhe renovimet që ky institucion ka marr vite për t'i finalizuar, Vuniqi tha se prapëseprapë po gjejnë metoda alternative.
Isa Beg Gjocaj: Një performancë mbresëlënëse

Një nga yjet e shfaqjes ishte balerini Isa Beg Gjocaj, i cili dha një interpretim të fuqishëm dhe emocional. Ai ndau përvojën e tij me Telegrafin:
“Ishte një eksperiencë e veçantë dhe sfiduese. Gjithçka shkoi siç e kishim parashikuar, publiku e priti jashtëzakonisht mirë dhe reagimet e tyre na bënë të ndiheshim të shpërblyer për gjithë punën tonë. Kjo shfaqje nuk ishte vetëm për ne si artistë, por edhe për të gjithë ata që e vlerësojnë artin dhe gazetarinë”.

Ai shtoi se një nga aspektet më interesante të "Deadline" ishte eksplorimi i dilemave dhe vështirësive me të cilat përballen gazetarët:
"Koncepti i shfaqjes na ndihmoi edhe neve të kuptojmë më mirë botën e gazetarisë. Përmes lëvizjeve dhe performancës, kemi tentuar të sjellim intrigat, sfidat dhe problemet me të cilat përballen reporterët në kohë të ndryshme. Ka qenë një përvojë unike për mua si artist”.

Ai gjithashtu foli për rëndësinë e të qenit pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe se si kjo përvojë ka ndikuar në karrierën e tij:
“Jam shumë i lumtur që tashmë jam pjesë e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Që nga mosha pesë vjeçare, kam qenë i përfshirë në këtë art dhe tani, me këtë kontratë të re, ndjej se po e jetoj ëndrrën time. Po ashtu, jam krenar që me këtë shfaqje kemi arritur të sjellim diçka kaq unike në skenën tonë”.
Një sukses i merituar

"Deadline" u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, duke dëshmuar suksesin e këtij projekti. Me një koreografi inovative, muzikë të përzgjedhur me kujdes dhe një ekip të talentuar artistësh, kjo shfaqje arriti të përcjellë një mesazh të fuqishëm dhe të krijojë një përvojë të paharrueshme për publikun artdashës në Prishtinë.
Shfaqja është një dëshmi e fuqisë së artit për të trajtuar tema sociale dhe profesionale, duke sjellë në vëmendje sfidat e një prej profesioneve më të rëndësishme të kohëve moderne – gazetarisë. /Telegrafi/
Fotografi të tjera nga shfaqja:




























































































