LAJMI I FUNDIT:

Dashuri ushtarako-fetare Greqi-Serbi

Dashuri ushtarako-fetare Greqi-Serbi

Në emër të Greqisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të mbrojtjes kombëtare greke, admirali Evangelos Apostolakis, nënshkroi dokumentin e pranimit të Serbisë në Marrëveshjen Teknike të krijimit të grupit luftarak rajonal të quajtur “HELBROC”, që drejtohet nga Greqia. Akti i pranimit të Serbisë nga Greqia u nënshkrua në kuadër të vizitës që zhvilloi në Athinë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, në 27 shtator 2017. “HELBROC” është një nga 15 grupet luftarake të reagimit të shpejtë, që janë krijuar nga vendet e BE si pjesë e Politikës së përbashkët të Sigurisë dhe të Mbrojtjes të BE. Në grupin luftarak rajonal të krijuar dhe të komanduar nga Greqia bëjnë pjesë Ukraina, Qipro, Rumania dhe Bullgaria dhe emri i grupit është akronim i emrave të shteteve pjesëmarrëse.

Tani Greqia futi edhe Serbinë, dhe grupi i ashtuquajtur ballkanik u zgjerua në gjashtë shtete, të cilat kontribuojnë me njësi ushtarake dhe me oficerë shtabi. Ndonëse grupet luftarake të reagimit të shpejtë njihen formalisht si pjesë e politikës së mbrojtjes të BE, “HELBROC” është mandat kombëtar i shtetit që e drejton, pra i Greqisë. Fakti që dokumentin e pranimit të Serbisë në “HELBROC” e nënshkroi vetëm Greqia, si shtet komandues i grupit dhe nuk u nënshkrua në Bruksel nga institucione të BE apo përfaqësues të Komisionit Europian, tregon se kemi të bëjmë me një akt shtetëror individual të Greqisë për forcimin e aleancës së saj ushtarake me Serbinë në kuadrin e marrëdhënieve të posaçme, që Athina dhe Beogradi zhvillojnë me njëri-tjetrin.


Diplomacia greke e emërton “HELBROC” si “grupim luftarak ballkanik”, në një kohë që në të nuk marrin pjesë dy të tretat e shteteve ballkanike, kur në grup janë dy shtete joballkanike dhe kur shtetet ballkanike që nuk marrin pjesë, nuk i kanë autorizuar Athinës ndonjë mandat ballkanik. Grupimi i mësipërm vështirë se mund të thuhet se i përket BE, kur ai ka dy shtete joanëtare të BE, prej të cilëve vetëm njëri është shtet kandidat. Në rajon janë katër shtete të tjera ballkanike kandidate të BE, të cilat nuk janë ftuar të jenë pjesë e grupit.

Çfarë tërheq vëmendjen në anëtarësimin e Serbisë në grupimin luftarak të reagimit të shpejtë, të drejtuar nga Greqia.

Së pari, tregon se në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor zgjedhja strategjike dhe ushtarake e Greqisë është Serbia dhe natyra e kësaj aleance ushtarake është e lidhur me bazën e përbashkët fetare. Dy ministrat e mbrojtjes të Greqisë dhe të Serbisë e deklaruan me mburrje karakterin ushtarako-fetar të dashurisë dhe të aleancës greko-serbe. Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kammenos, në fjalimin që mbajti para ministrit serb të Mbrojtjes, deklaroi dy herë tekstualisht: “Greqia dhe Serbia janë të bashkuar nga besimi ortodoks. Greqia dhe Serbia kanë besimin e tyre të përbashkët ortodoks”. Parashtrimi i dimensionit fetar ortodoks si bazë e bashkëpunimit ushtarak midis Greqisë dhe Serbisë është platforma zyrtare mbi bazën e së cilës Greqia dhe Serbia kërkojnë të ndërtojnë aleancën dhe rolin e tyre në gadishullin e Ballkanit. Kjo nuk është e rastit, sepse si Greqia, ashtu dhe Serbia, në doktrinat e tyre të sigurisë kombëtare e kanë kriterin fetar një nga shtyllat kryesore dhe doktrinat e tyre të sigurisë kombëtare kanë në shënjestër popuj dhe shtete, që nuk janë ortodoksë.

Doktrina e sigurisë kombëtare e Greqia konsideron burim rreziku Turqinë dhe doktrina e sigurisë kombëtare e Serbisë konsideron të tillë kombin shqiptar në të dy shtetet shqiptare dhe kombin kroat. Ideologjinë fetare Athina e ka konceptuar si saldim të strukturimit të grupit luftarak “HELBROK”, në të cilin jo rastësisht janë grumbulluar prej saj vetëm shtete ortodokse si Greqia, Ukraina, Rumania, Bullgaria, Qipro dhe Serbia.

Nuk mund të mos shtrohet pyetja se si Greqia, një shtet anëtar i NATO-s, nuk ka ftuar në një grup luftarak të drejtuar prej saj në kuadër të politikës europiane të sigurisë dhe të mbrojtjes as Shqipërinë dhe as Malin e Zi, që janë shtete anëtare të NATO-s dhe të cilat janë të detyruara nga Neni 5 i Traktatit themelues të NATO-s që të mbrojnë Greqinë, në rast se ajo do të jetë objekt agresioni nga një palë e tretë. Ftohen të bëhen anëtarë Ukraina, Qipro dhe Serbia, që nuk janë anëtarë të NATO-s, (Serbia madje ka qëndrim zyrtar armiqësor ndaj NATO-s), dhe nuk ftohet Shqipëria, një shtet fqinj, i cili me një vokacion inferioriteti strategjik ka 16 vjet që në programet qeveritare të politikës së jashtme e shpall vazhdimisht Greqinë aleat strategjik. Është një dëshirë e njëanshme, sepse për shembull kryeministri grek Cipras gjatë tre vjetëve në atë post nuk ka deklaruar kurrë se qeveria e tij e konsideron Shqipërinë aleat strategjik, kurse për Serbinë e deklaron publikisht sa herë takon udhëheqësit serbë, siç bëri edhe në qershor të këtij viti në takimin e Selanikut.

Së dyti, nga këndvështrimi shqiptar bie në sy jo për të mirë se në grupin luftarak “HELBROC” Greqia ka përfshirë pesë shtete, që nuk e njohin Kosovën dhe vetëm një shtet, Bullgaria, e njeh. Ky element nuk mund të mos çojë tek opinioni i ekzistencës së një prirjeje antishqiptare të grupimit, sepse duke u drejtuar kundër Kosovës, drejtohet kundër interesit të kombit shqiptar. Ky element i qëllimshëm është kaq i dukshëm, sa që ministri i Mbrojtjes i Serbisë e lavdëroi publikisht në fjalimin e tij në Athinë këtë kompozim anti-Kosovë të grupit “HELBROC”: “Sipas përbërjes së grupit, siç e shihni, ne jemi midis miqsh. Nuk është e rastit që vetëm një shtet nga grupi e ka njohur Kosovën, kurse të tjerët jo. Ne jemi shumë të kujdesshëm për këtë kur zgjedhim ku të jemi dhe në cilin grup të bëjmë pjesë”.

Emocioni antishqiptar ndikoi me sa duket që ministri i Mbrojtjes i Greqisë iu drejtua delegacionit të ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë me thirrjen emfatike: “Vëllezër serbë, grekët janë me ju”. As në mediat dhe rrjetet sociale greke dhe as në mediat dhe rrjetet sociale serbe nuk pat protesta pse ministri grek i Mbrojtjes i quajti serbët “vëllezër”.

Së treti, aleanca ushtarako-fetare Greqi-Serbi me përfshirjen e Serbisë në grupin luftarak të Athinës, shfaqi hapur një prirje të qartë anti-NATO. Ministri i mbrojtjes i Serbisë mburri ministrin e Mbrojtjes të Greqisë, Kammenos, se ai i ka kundërshtuar në vitin 1999 bombardimet e NATO-s mbi Serbi, është solidarizuar me qeverinë serbe të asaj kohe dhe në shenjë solidariteti paska bërë edhe një vizitë në Beograd në kohën e bombardimeve. Dhe Kammenos, që për ironi të politikës greke është ministër i Mbrojtjes i një shteti të NATO-s, në mënyrë skandaloze vazhdon të mbajë po atë qëndrim armiqësor ndaj NATO-s edhe sot në vitin 2017. Në 27 shtator ai e quajti Serbinë e Millosheviçit viktimë dhe mori hapur në mbrojtje kriminelin ndërkombëtar të luftës Sllobodan Millosheviç, duke e quajtur të pafajshëm.

Së katërti, Greqia dhe Serbia po dalin tani hapur me idenë dhe pretendimin e rrezikshëm që aleanca e tyre ushtarako-fetare të marrë rolin e një gardiani rajonal mbi popujt dhe shtetet e tjera të rajonit. Ministri i Mbrojtjes i Greqisë e shprehu hapur këtë pretendim për rol kontrollues greko-serb në Ballkan, kur deklaroi se Greqia dhe Serbia “mund të ndërtojnë së bashku një aks stabiliteti, që do të interceptojë përpjekjet e disa njerëzve për të importuar fanatizmin fetar veçanërisht në Ballkan”.

Përballë frymës joatlantike dhe joeuropiane të kësaj aleance ushtarako-fetare të Greqisë dhe të Serbisë është e drejtë të pritet që BE dhe NATO të kërkojnë shpjegime nga Athina lidhur me pasojat që mund të sjellin në Ballkan aleancat dhe politikat me flamuj fetarë të dy shteteve të mësipërme. Në BE dhe në NATO e njohin mirë strategjinë afatgjatë të Rusisë për të krijuar në Ballkan një aleancë të shteteve ortodokse, të lidhura me Moskën. Në këtë strategji ruse, Greqia dhe Serbia po marrin role kryesore në rajon. Jo rastësisht Greqia, Serbia dhe Qipro, (gjysma e HELBROC-ut) kanë qeveritë më proruse të kontinentit, janë shtete të cilat kanë refuzuar sanksionet e BE ndaj Rusisë, nuk kanë dënuar kurrë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe as aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia. Janë shtete që kanë pranuar orientimin e marrëdhënieve të tyre me Rusinë të bazuar në aksin fetar ortodoks.

Këto zhvillime duhet të ndiqen me kujdes të veçantë nga shteti dhe diplomacia shqiptare. Marrëdhëniet ndërkombëtare në Ballkan janë ndërtesa me shumë kate dhe jo në të gjitha katet bëhen festival rinie. Greqia dhe Serbia e shohin kombin shqiptar dhe faktorin shqiptar në Ballkan si pengesë të planeve të tyre për hegjemoni në rajon. Një aleancë ushtarako-fetare Greqi-Serbi ka në themelet e saj urrejtjen nacionale dhe fetare ndaj kombit shqiptar, nëse në flamurin e saj qëndron armiqësia ndaj shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë që zyrat shtetërore të Shqipërisë duhet të ndalen shumë për të analizuar sfondin antishqiptar të zhvillimeve të përditshme në rajon. Kjo do të thotë që Shqipëria duhet të mos e humbë sensin realist në raportet me të dy shtetet ballkanike, me të cilat historia na ka laureuar me një shkollë të madhe. Shteti dhe diplomacia shqiptare nuk duhet të trullosen nga fishekzjarrët ballkaniko-perëndimorë të Serbisë dhe as nga sindromat e partneriteteve strategjike të pakthyera të Greqisë.

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori