Kosova shënoi një fitore të jashtëzakonshme në ndeshjen e parë zyrtare kundër Shqipërisë, duke triumfuar me rezultatin 84:99 në Shkodër, në kuadër të FIBA EuroBasket Pre-Qualifiers 2029.

Që nga viti 2016, Dardan Berisha ka mbajtur fanellën e Kosovës në 42 ndeshje, gjithmonë me pasion dhe përkushtim.


Në këtë takim të fundit, kapiteni u duk i pakapshëm, duke shënuar 35 pikë dhe 6 kërcime, duke udhëhequr skuadrën drejt fitores dhe duke treguar edhe një herë pse është lideri që frymëzon të gjithë ekipin dhe tifozët.

“Faleminderit për ndeshjen super të fortë dhe gjithë ato momente që na i dhe në parket. Faleminderit Kapiten!”, shkruhej në faqen zyrtare të FBK-së së ekipit.

Pas tij, kontribuuan edhe Erjon Kastrati me 21 pikë dhe Drilon Hajrizi me 15 pikë, duke formuar një sulm të fuqishëm dhe të koordinuar që i dha Kosovës avantazhin gjatë gjithë ndeshjes.


Me këtë triumf, Kosova fillon me këmbën e duhur aventurën në EuroBasket Pre-Qualifiers, ndërsa Dardan Berisha vazhdon të jetë simbol i forcës, përkushtimit dhe motivimit për basketbollin kosovar. /Telegrafi/

telegrafi sport app