LAJMI I FUNDIT:

Dalldisja e Vuçiqit nga raketat “Javelin”

Dalldisja e Vuçiqit nga raketat “Javelin”
Ilustrim

Në vijim po paraqes një përmbledhje mbi burimin e riciklimit të frymës konfliktuale, si dhe rekomandime strategjike për paqen dhe ardhmërinë euroatlantike të Serbisë, Kosovës dhe katër vendet e Ballkanit perëndimor (Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina). Së pari, ndoshta edhe nën peshën e presionit të Berlinit etj.: për të hetuar mashtrimin masiv të zgjedhjeve të 17 dhjetorit 2023, më 11 janar 2024, presidenti serb Aleksandar Vuçiq doli në një konferencë shtypi të jashtëzakonshme, ku shprehu revoltën zyrtare dhe zhgënjimin e madh ndaj njoftimit të ambasadorit amerikan Christopher Hill se DASh-i ka miratuar kërkesën për t’i shitur Kosovës raketa anti-tanke “Javelin”.

Duke u shkumosur përsëriti refrenin se kjo është në kundërshtim flagrant me Rezolutën 1244. Me tone sfiduese shtoi se: “Ne do të pajisemi më së miri dhe më fuqishëm … prandaj, do t’i shtojmë që këtë vit buxhetit të mbrojtjes edhe 740 milionë euro për blerjen e armatime moderne”. Thënë këtë, ai pranoi se nuk jemi më të fortë si Amerika, Anglia, Gjermania, Turqia, por me blerjen e këtyre armatimeve do të mund t’i tregojmë botës se kjo në mënyrë brutale shkel normat juridike ndërkombëtare? Thënë sa më sipër, e këshilloj Vuçiqin të vetëpërmbahet, të mos bëjë as viktimën dhe as trimin.


Pikësëpari, raketat “Javelin” nuk janë armë sulmuese, por vetëm për të mbrojtur tërësinë territoriale të Republikës së Kosovë nga çdo armik potencial, që sigurisht dhe pa asnjë mëdyshje mbetet vetëm Serbia. Së dyti, përpiqem ta mirëkuptoj Vuçiqin nga i vjen zhgënjimi dhe revolta shtesë. Prandaj, në vend se t’i përgjigjem në kapacitetin e gjeneralit shqiptar, që gjithsesi nuk mund të jetë i paanshëm, po ju referohem burimeve zyrtare dhe ekspertëve me zë në Uashington: Më 11 janar, Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi për “Radion Evropa e Lirë” se DASh-i ka vendosur të miratojë shitjen e 246 raketave “Javelin FGM148F” me vlerë prej 75 milionë dollarëve për Forcat e Sigurisë së Kosovës”. Më tej, DASh shtoi se kjo shitje mbështetet në politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të ShBA-së duke përmirësuar aftësitë mbrojtëse të Kosovës, si dhe ndërveprueshmërinë me NATO-n, pa ndryshuar balancat ushtarake në rajon! Ndërsa, eksperti i mirënjohur, ish=këshilltari i Senatorit John McCain, admirali Mark Montgomery, aktualisht drejtor i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, përcakton se sistemi “Javelin” është armë fantastike mbrojtjeje, për të frenuar një sulm të mundshëm me automjete të blinduara ndaj Kosovës. Pra, thënë me qartësi gjeopolitike dhe vizion strategjik nga Uashingtoni, raketat “Javelin” nuk janë për të sulmuar Serbinë, por vetëm për të ushtruar të drejtën sovrane të mbrojtjes së tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës.

Së treti, konsideruar sa më sipër, dëshiroj t’i adresohem Beogradit me gjashtë mesazhe në formatin e këshillave strategjike: a) T’i harrojë kërcënimet për rikthimin me lavdi në vendin e krimeve kundër njerëzimit (Kosovës së para vitit 1999), si dhe riciklimin e luftës së përgjakshme edhe mbas humbjes turpëruese (para 25 vjetëve), duke kërcënuar ushtarakisht tërësinë territoriale të Kosovës e cila prej qershorit 1999 mbetet nën përgjegjësinë e KFOR-it/NATO-s; b) Edhe nga pikëpamja e kapaciteteve ushtarake (n vitet e fundit Serbia shpenzon rreth një miliard euro, pa përfshirë shtesën 740 milionë euro për vitin 2024 për armatosjen me tanke, aeroplanët “Mig-29″, helikopterët luftimi “Mi-35”, raketat “Pantsirs”, ”FK-3″ etj.), ka zero kapacitete ose këllqe të sfidojë fuqinë ushtarake të ShBA-s, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar. Pra, të mos harxhojë para nga taksat, nga mundi i popullit serb, për armatime, pasi asnjë nga vendet që ndajnë kufij shtetërore nuk e kërcënon Serbinë. Për më keq, armatosja i shërben krimit të organizuar dhe agjendës së ultra-nacionalistëve jo vetëm në Serbi; c) Të heq dorë, nga përpjekjet cinike për të testuar kohezionin mes 31 vendeve të NATO-s; d) Të mos shpërdorohet më tej për ambiciet e Rusisë putiniste në rajon duke ekspozuar 80 për qind të armeve, infrastrukturave dhe aktiviteteve ushtarake në kufi të Kosovës; e) Të heq dorë nga oscilimet kufijtë e rinj shtetëror në rajon dhe trimërimin pas lufte për (mos) njohjet e Kosovës; f) Zgjedhjet e dhjetorit 2023 i hoqën maskën Vuçiqit si faktor i vetëm i moderuar përkundër “rivalëve ekstremistë” në Beograd; përpjekjeve për “të pirë” nga tri nëna (Moska, Brukseli & Uashingtoni)), apo luajtur me disa vende jomiqësore me NATO-n etj.

Së katërti, në opinionin e publikuar në shtator 2021, “Fundi me turp i beniaminit të Berishës”, duke përkthyer shprehjen angleze “Don’t hit the dead horse”, kam konfirmuar se nuk merrem më me kalin e ngordhur. Por, të premten, një ekspert/koleg nga jashtë vendit më ngacmoi nëse e kisha ndjekur deklaratën e kryetarit të opozitës zyrtare? Përtej humorit i premtova një vlerësim strategjik edhe për këtë lajthitje: “Do depozitojmë në Kuvend një amendament, ku do të kërkojnë rialokimin e 50 milionë eurove ndihmë ushtarake për Kosovën”! Që në krye të herës mund të them se këtë deklaratë të bërë nga dikush që fatkeqësisht ka qenë Ministër i Jashtëm dhe pretendent për kryeministër, e çmoj delikuente për stabilitetin dhe interesat e kombëtare në rajon. Përpos të tjerave, kjo deklaratë delirante do t’i shërbente shumë ministrit të Millosheviqit (Vuçiqit) dhe propagandës së Rusisë putiniste, pasi do të legjitimonte një precedent të rrezikshëm për të armatosur jo vetëm te Dodiku në Republikën Sërpska, por edhe grupet kriminale në Veriun e Kosovës etj., duke hedhur kështu në erë status-kuonë gjeopolitike të Republikës së Kosovës si dhe investimin e ShBA-së, NATO-s dhe BE-së për paqen, stabilitetin dhe agjendën euroatltantike të rajonit të Ballkanit perëndimor. Ndërsa, po ashtu me duhet ta nënvizoj se investimi i mëtejshëm i Kuvendit, pas kësaj mendjeje diabolike, do të kishte një kosto të lartë zhgënjimi për vetë rolin, kredibilitetin dhe peshën konstruktive që mban Shqipëria në stabilitetin e rajonit, por edhe në marrëdhëniet me partnerët strategjik. Përtej kësaj deklarate aguridhe, për opinionin mbarëkombëtar ripërsëris edhe më fort se ShBA-ja, NATO-ja dhe Shqipëria (jo vetëm si anëtare e saj), që prej Marrëveshjes Ushtarake të Kumanovës të qershorit 1999, ia kanë bërë shumë të qartë Beogradit se një agresion ushtarak kundër sovranitetit të Kosovës, do të konsiderohet njëkohësisht sulm ndaj trupave të KFOR-it/NATO-s!

Prandaj për ta përmbyllur me këtë shakaxhi që lemerisi miletin jo vetëm brenda vendit, kam edhe një këshillë serioze për median: Mos e merrni seriozisht këtë deklaratë dhe mos ia jepni më mikrofonin për këto çështje këtij skuthi procedurash! Në shtesë, historitë e pasluftërave na tregojnë se marrëveshjet për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë nuk kanë për të funksionuar pa shtruar si themele një paketë masash të bashkëjetesës dhe mirëbesimit reciprok mes popujve dhe vendeve.

Krimea mbetet mësim i madh për të gjallët, pasi Marrëveshja e Paqes e vitit 2014 jo vetëm nuk solli paqe, por po shpaguhet me gjakun e qytetarëve ukrainas dhe rusë. Prandaj, akterët zyrtarë dhe strategët në rajon, Uashington, Bruksel etj. do t’i sugjeroja që perspektivën e paqes dhe dialogun konstruktiv mes Serbisë dhe Kosovës do duhet ta parakushtëzojnë me rikthimin e dy masave të mirëbesimit reciprok (CSBM) nëpërmjet të cilave Beogradi dhe Prishtina Zyrtare imponohen se: a) Do të ruajnë balancat e fuqisë ushtarake sulmuese (armatimet si “Mig-29”, raketat “Pantsir-S” dhe “FK-3” etj.) deri në nivelin që reciprokisht të mos kërcënojnë integritetin territorial; b) Nuk do të vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (20 kilometra distancë ajrore dhe pesë tokësorë) në kufijtë shtetërore mes dy vendeve. Me tej, këto dy kushte me peshë thelbësore do të duhen të monitorohen nga ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja, të cilat mbeten faktorë kritikë për paqen dhe integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor.

Nga ana tjetër, do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët politik të Prishtinës që riciklimi i dalldisjes së radhës ose kërcënimet e Beogradit ndaj integritetit të Kosovës dhe prezencës së NATO-s kurrsesi të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist si rrethanë e favorshme për Kosovën, por mbi të gjitha si përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne përtej prezencës së NATO-s (që nuk mundet të jetë e përjetshme …) e ku, mbi të gjitha, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike, do të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e rolit të Kosovës nga konsumatore në kontribuuese për paqen, stabilitetin demokratik dhe për integrimin në NATO dhe BE!

Në të njëjtën kohë, do të rikëshilloja faktorët institucional në Tiranë dhe Prishtinë që për interesa jetike kombëtare të përulen në gjunjë para përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një platformë Strategjike: Dy shtete sovrane dhe një komb i vetëm për mbrojtjen e interesave kombëtare, duke garantuar ShBA-në dhe NATO-n se kjo qasje nuk kërcënon askënd, as Serbinë, por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit. Thënë këtë, duhet ta nënvizojmë qartë se ky projekt afatgjatë nuk ka asnjë lidhje as me dalldisjen e radhës të Vuçiqit, por as me lajthitjen cinike të “gjeneralit” të ushtrisë së vdekur.

Me këtë rast rikonfimoj se mbetem ushtar i Atdheut, i përkushtuar për të kontribuar me përulësi në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare si dhe për forcimin e partneritetit strategjik me ShBA-në dhe NATO-n!

Në trend

Më shumë
25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

Drejtësi
Skuadrat që përfitojnë më shumë nga fanellat e tyre – askush nuk mund të mposhtë numrin 1

Skuadrat që përfitojnë më shumë nga fanellat e tyre – askush nuk mund të mposhtë numrin 1

Ndërkombëtare
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Drejtësi
Thellohen humbjet e Rusisë: Mbi 100 ushtarë rusë të vdekur nga sulmi i fundit i ukrainasve me ATACMS

Thellohen humbjet e Rusisë: Mbi 100 ushtarë rusë të vdekur nga sulmi i fundit i ukrainasve me ATACMS

Botë
Modric ka një “plan B” në rast largimi nga Reali Madridi, do të luante në Ligën e Kampionëve me fanellën e një gjiganti tjetër

Modric ka një “plan B” në rast largimi nga Reali Madridi, do të luante në Ligën e Kampionëve me fanellën e një gjiganti tjetër

Ndërkombëtare
Kalo në kategori