LAJMI I FUNDIT:

Dalin për herë të parë telegramet e Petro Markos nga burgu

Dalin për herë të parë telegramet e Petro Markos nga burgu
Petro Marko

Studiuesja Jorina Kryeziu Shkreta rrëfen takimin me të bijën e Petro Markos, Arianitën, e cila e ka ndihmuar për hulumtimet mbi ditarin e Petro Markos, por edhe mbi telegramet e burgut. Nga shënimet e intelektualëve në burg, studiuesja veçon ditarin e Petro Markos, jo për realitetin që përshkruante, por sepse i kushtohej dashurisë. Përpos ditarit nuk mungojnë as telegramet me familjarët, për të cilat Kryeziu pohon se dalin për herë të parë.

“Vajza e tij, Arianita më mirëpriti edhe përveçse më disponoi ditarin, për herë të parë më dha edhe telegramet. Petro Markon tashmë do ta njihni me letërkëmbimet që ka kryer në burgun e Armiqve të Popullit në Tiranë. Përpos ditarit, ai mban edhe letërkëmbime më Safolinën, Arianitën të bijën, të vëllanë e të shoqes. Këto telegrame kanë interes, sepse tregojnë kohën edhe vuajtjet e tij, edhe pse ai kërkon që t’i injorojë vuajtjet fizike në qëndrimin brenda qelisë, duke u fokusuar tek dashuria. Nuk janë letërkëmbime të rregullta, por janë letërkëmbime për ftesa kombëtare edhe raste të veçanta. Të gjitha telegramet pas nënshkrimit mbajnë firmën e drejtuesit ku ai vuante dënimin”, rrëfen Kryeziu.


Ditarin, por edhe telegramet e burgut, studiuesja i vlerëson si pjesë të pandarë të letërsisë dokumentare. Tre vite burgim ku tregohet brutaliteti i sistemit, ashpërsia me intelektualët, që quheshin “Armiqtë e Popullit”.

“Nëpërmjet këtij ditari vjen bota e tij e madhe, jo në statusin e të burgosurit, por të shkrimtarit. Janë shkrime që ai e shndërron realitetin në art. Anën e errët të jetës edhe dritën vezulluese brenda mureve të qelisë ai i shikonte tek forca e dashurisë. Nëse të tjerët vuajnë mungesën e lirisë brenda hekurave, ai e gjen lirinë përmes forcës së dashurisë. Mendon se është pikërisht forca e dashurisë që e mbajti gjallë”, shprehet studiuesja.

Studiuesja përfundon se në rastin e Petro Markos jeta edhe vepra janë një, prandaj botimi i tyre do të ishte zgjedhja e duhur. /Report TV/