Daily Express: Thethi, si fshatrat e Zvicrës

Në një artikull kushtuar Thethit, tabloidi britanik “Daily Express” e cilëson fshatin turistik rrëzë Alpeve Shqiptare si Zvicrën, por me më pak turma njerëzish dhe çmime më të ulëta.
I vendosur në rajonin e Shkodrës në veri të vendit, Thethi konsiderohet si një nga sekretet e pazbuluara të Europës dhe fshati piktoresk ofron një pamje mahnitëse të Alpeve Shqiptare. Si pjesë e Parkut Kombëtar të Thethit, fshati rrethohet nga gjelbërimi, pyjet dhe natyra e paprekur.
Me një popullsi prej pak më shumë se 300 banorësh, Thethi ofron një arratisje autentike nga trafiku, turmat dhe kaosi i destinacioneve më të famshme turistike europiane. Nëse kërkoni qetësi, aventurë dhe pamje piktoreske, Thethi në Shqipëri është një destinacion që duhet vizituar patjetër, sugjeron Daily Express.
Më tej artikulli thekson se turistët mirëpriten shumë ngrohtë nga vendasit, të cilët kanë jetuar në këtë zonë prej shekujsh dhe kanë ruajtur mënyrën e tyre të jetesës mes një natyre të jashtëzakonshme.
Sipas Express, vizitorët që dëshirojnë të përjetojnë kulturën shqiptare nga afër mund të qëndrojnë në bujtina familjare dhe shtëpi të restauruara pranë parkut kombëtar. Fshati i Thethit mbetet ende mjaft i izoluar dhe është i paarritshëm gjatë muajve të dimrit, ideal për udhëtarët që kërkojnë të largohen nga zhurma e jetës urbane dhe të gjejnë qetësi në natyrë.
Një nga atraksionet kryesore të fshatit Theth është ecja drejt Ujëvarës së Grunasit, e vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, dhe më tej mund të vazhdohet drejt Syrit të Kaltër.
Sipas tabloidit britanik, për ata që kërkojnë një përvojë më të qetë në natyrë, vizitorët mund të shijojnë drekën në fshatin Nderlysaj, i cili ofron pamje mbi pishina natyrore dhe male.








































