Eventi prestigjioz Best of Swiss Apps 2025 ka përfunduar me shumë sukses, duke mbledhur kompanitë më inovative të teknologjisë nga Zvicra dhe rajoni.

Një ndër momentet më të veçanta të këtij viti ishte përfshirja e startup-it Cybee.ai, me rrënjë nga Kosova, në “Hall of Fame” të këtij konkursi prestigjioz.


Cybee.ai, e themeluar nga Kristian Kabashi dhe Hekuran Doli, është përzgjedhur në mesin e projekteve më të mira për vitin 2025, duke u vlerësuar për risinë që sjell në fushën e sigurisë kibernetike dhe automatizimit të përputhshmërisë për bizneset (compliance automation).

Platforma e zhvilluar nga ekipi i Cybee ndihmon bizneset të menaxhojnë rreziqet dhe standardet e sigurisë në mënyrë inteligjente, duke përdorur inteligjencën artificiale për të identifikuar, monitoruar dhe parandaluar dobësitë në kohë reale.

“Është një ndjenjë e veçantë që një projekt i ndërtuar me përkushtim nga Kosova të zërë vend në mesin e më të mirëve në Zvicër. Ky sukses është dëshmi e talentit që ekziston tek të rinjtë tanë dhe e mundësive që krijohen kur teknologjia bashkon mendjet më të mira pa kufij,” tha Kristian Kabashi për Telegrafin.

Ndërsa bashkëthemeluesi Hekuran Doli shtoi:“Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë për Cybee.ai. Ne besojmë se Kosova mund të bëhet qendër rajonale për zhvillim të inteligjencës artificiale dhe sigurisë dixhitale. Kjo arritje na motivon të punojmë edhe më shumë për të sjellë teknologji që kanë ndikim real në bizneset dhe shoqërinë.” Përfshirja e Cybee.ai në Hall of Fame është një moment historik jo vetëm për kompaninë, por edhe për ekosistemin e startup-eve në Kosovë, duke treguar se vendi tashmë është pjesë e hartës evropiane të inovacionit teknologjik.