“Cowboy Carter” në Londër: Beyonce mahnit fansat mes polemikave për çmimet e larta

Beyonce mahniti fansat e saj në Londër në natën e parë të rezidencës në stadiumin “Tottenham Hotspur”, duke dhuruar një performancë të jashtëzakonshme që zgjati rreth tre orë.
Artistja 43-vjeçare, e veshur me kostume spektakolare të zbukuruara me gurë të çmuar, interpretoi një set me shtatë akte, ku përfshiu më shumë se 40 këngë, kryesisht nga albumi i saj i fundit “Cowboy Carter”, një projekt që ka marrë vlerësime kritike dhe madje fitoi çmimin kryesor në “Grammy 2024”.
Shfaqja, e quajtur “The Cowboy Carter and the Rodeo Chitlin' Circuit Tour”, përfshinte gjithçka nga estetika kaubojsi – kapele, thekë, deri te një dem mekanik i artë – duke krijuar një atmosferë autentike rodeoje, shkruan BBC.
Artistja nderoi nëpërmjet interlude-ve muzikore këngëtarët afro-amerikanë që historikisht janë përjashtuar nga skena tradicionale e muzikës country.
Publiku u emocionua veçanërisht me paraqitjen e vajzës së saj 13-vjeçare, Blue Ivy, e cila kërceu në një segment të hitit “Deja Vu”, si dhe me momentin e ëmbël të vajzës më të vogël, Rumi, e cila u shfaq për pak çaste në skenë.
Pavarësisht spektaklit të mrekullueshëm, koncerti nuk arriti të shesë të gjitha biletat. Vetëm pak orë para fillimit të shfaqjes, mijëra vende ishin ende në dispozicion online.
Fansat kanë shprehur pakënaqësi lidhur me çmimet e larta dhe ndryshimet dinamike në tarifat e biletave. /Telegrafi/
























































