Costa në takim me Kurtin: Kosova të angazhohet në dialog për të ecur drejt BE-së

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka publikuar pamje nga takimi që presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, ka zhvilluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti.
Në njoftimin e shpërndarë në faqen zyrtare të Zyrës së BE-së në Facebook, thuhet se Costa ka theksuar rëndësinë që Kosova të angazhohet seriozisht në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përmes një dialogu konstruktiv, si hap i domosdoshëm për të avancuar drejt integrimit evropian.
“Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, u takua me kryeministrin në largim të Kosovës, Albin Kurti, dhe theksoi rëndësinë që Kosova të angazhohet në normalizimin e marrëdhënieve përmes një dialogu konstruktiv për të avancuar në rrugën e saj evropiane”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, ai vizitoi Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Costa theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiq ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.
"Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër", tha Costa.
Në Sarajevë, ai shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.
Pas Kosovës, ai do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipërinë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Liderët e BE-së zgjodhën portugezin Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, detyrë të cilën e mori më 1 dhjetor 2024./Telegrafi/

















































