LAJMI I FUNDIT:

Conte premton masa të jashtëzakonshme ekonomike përballë Coronavirusit

Conte premton masa të jashtëzakonshme ekonomike përballë Coronavirusit

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, premtoi një “terapi gjigante të shokut” për të tejkaluar efektet e Coronavirusit, pasi qeveria e tij mbylli pjesën më të madhe të qendrës industriale dhe biznesit, për të luftuar krizën.

Komentet e Contes erdhën pasi qeveria vendosi në karantinë rajonin e Lombardisë dhe pjesë të tjera të Venetos, për të ndaluar përhapjen e virusit në Itali, që është vendi më i goditur në Evropë.

“Ne nuk do të ndalojmë këtu, do të përdorim një terapi masive të shokut”, tha Conte.

Masat e lajmëruara gjatë fundjavës ishin më të ashprat në historinë e pas-luftës në Itali dhe reflektojnë përhapjen e shpejtë të virusit, që prej shfaqjes për herë të parë në një qytet të vogël jashtë Milanos muajin e kaluar.

Në dy javë, numri i të infektuarve u rrit në 7,373 dhe vdekjet arritën në 366, duke kaluar kapacitetin e sistemit shëndetësor të vendit.

Bursa e Milanos, që ka rënë me 17 për qind që prej përhapjes së virusit, vazhdoi rënien dhe indeksi i FTSEMIB i Italisë humbi 11 për qind.

Italia ndodhej pranë recesionit që përpara shfaqjes së virusit dhe masat po godasin rajonin më të pasur të vendit. Ambienteve të sportit, bareve dhe restoranteve i është kërkuar që të mbyllen dhe fluturimet brenda dhe jashtë aeroportit Malpensa të Milanos, janë pezulluar.

Duke reflektuar edhe kërkesat e Francës, Conte tha se kufizimet e ashpra të huamarrjes së Bashkimit Evropian duhet të hiqen, për të lejuar hapësirë fiskale.

“Evropa nuk mund t’i bëjë ballë një situate të jashtëzakonshme me rregulla të zakonshme”, tha Conte.

Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha se do të propozojë masa të stimujve për të ndihmuar Evropën me ndikimin e Coronavirusit.

Komisioni Evropian i tha Italisë gjatë fundjavës se shpenzimet e planifikuara për të ndaluar Coronavirusin, nuk do të numërohen sipas rregullave të buxhetit.