Kur Cole Palmer u transferua nga Manchester City te Chelsea në vitin 2023 për 40 milionë funte, pak kush e priste që ai të bëhej shpejt lideri i skuadrës londineze.

Ishte një lëvizje që habiti shumë, përfshirë edhe ish-kapitenin e Manchester United, Gary Neville, i cili në atë kohë e konsideroi transferimin si të rrezikshëm.


Por Palmer shpejt ua mbylli gojën kritikëve. Në sezonin e tij të parë me Blutë, ai shënoi 22 gola dhe dha 11 asistime në Ligën Premier, duke fituar çmimin prestigjioz PFA Lojtari i Ri i Vitit.

Performancat e tij të jashtëzakonshme bënë që Chelsea të mos humbasë kohë për ta siguruar për të ardhmen.

Fillimisht, Palmer kishte firmosur një kontratë shtatëvjeçare me mundësinë e një viti shtesë, por pas shkëlqimit në Euro 2024 me Anglinë, klubi vendosi t’i ofrojë një marrëveshje të re.

Në verën e vitit 2024, Palmer nënshkroi një kontratë të re 9-vjeçare, e vlefshme deri në vitin 2033, duke u bërë një nga lojtarët me kontratën më të gjatë në historinë e Ligës Premier.

Ai gjithashtu përfitoi një rritje të konsiderueshme të pagës, duke reflektuar statusin e tij si lojtari më i rëndësishëm i Chelseat.

Palmer ka justifikuar çdo cent të marrëveshjes së tij. Ai udhëhoqi Chelsean drejt triumfit në Ligën e Konferencës dhe javën e kaluar ishte heroi kryesor në finalen e Kupës së Botës për Klube, ku shënoi dy gola në fitoren 3-0 ndaj Paris Saint-Germain.

Marrëveshja e Palmer është bërë simbol i politikës së re të Chelseat nën drejtimin e Todd Boehly, i cili ka nisur një epokë të kontratave afatgjata për të rinjtë, si mënyrë për të shmangur kufizimet financiare të Premier Ligës.

Por ndryshe nga rastet e tjera, Palmer po e dëshmon në fushë se është i denjë për çdo vit të kontratës së tij.

Në Stamford Bridge, ai nuk është më thjesht një talent premtues – Cole Palmer është kthyer në liderin e ri të Chelseat. /Telegrafi/

telegrafi sport app