Një numër i madh i votave me kusht në Prizren vjen nga zonat e Hasit, rajon ky që ka shumë votues që jetojnë jashtë. Duke pasur para sysh se kjo zonë tradicionalisht në masë të konsiderueshme ka votuar për LDK-në, dikush duhet ta pyes KZAP-in, pse vendosi të mos pres numërimin e votave me kusht, por ta çojë Prizrenin në rivotim?

Zgjedhjet kanë plotësuar standardet evropiane. Rastet e izoluara nuk mund ta komprometojnë tërë procesin. Nëse në “një për qind” të rasteve ka pasur shkelje, kjo nuk mund të thuhet për tërë procesin. Urime Kosovë! Këto ishin vlerësimet për të dy raundet e zgjedhjeve komunale në Kosovë. Kështu e vlerësuan procesin zyrtarët ndërkombëtarë, kështu vlerësoi procesin përfaqësuesi i BE-së, Pieter Feith, kështu e vlerësoi procesin edhe Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”. Të gjitha këto thuheshin derisa në vazhdimësi partitë politike e mbushnin Komisionin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa – KZAP – me ankesa për manipulime. Madje nga terreni kishte raporte për dhunë, për ndërhyrje me armë nëpër qendra votuese, për marrje të kutive nga vend-votimet, të cilat nuk u publikuan asnjëherë nga askush.

Çfarë kuptimi ka konstatimi se zgjedhjet kanë qenë brenda standardeve derisa procesi është i mbushur me ankesa? Kujt po mundohemi t’ia hedhim? Në fund të fundit përsëritja e zgjedhjeve për shkak të manipulimit të votës në tri komuna, dy nga të cilat të mëdha, nuk mund të quhet rast i izoluar e as “një për qind” e vendvotimeve. Është e qartë tashmë se përgjithësisht ka ekzistuar një kontradiktë mes zhvillimeve në terren dhe deklarimeve të vëzhguesve direkt dhe atyre jashtë procesit të zgjedhjeve. Nëse përjashtohen vërejtjet e vëzhguesve ndërkombëtar nën tutelën e ENEMO, zyrtarë të së cilës ia kishin mësyrë edhe zyrave të Organizatës ÇOHU! për të gjetur mbështetje në raportimin e drejt të asaj që po ndodhte me zgjedhjet, vlerësimet kanë qenë skajshmërisht pozitive. Por, vlerësimi pozitiv për zgjedhjet që në mbi gjysmën e territorit kontestohen, e në një të treten përsëriten për shkak të siç ka thënë KZAP “vjedhjes së votave” nuk ka kuptim, apo jo?

Çka nënkupton kjo? Para së gjithash kjo nënkupton se realiteti në Kosovë interpretohet nga lart pa marrë para sysh atë që ndodhë në terren? “Vëzhguesit e pavarur” me bishtin tek zyrat e huaja nuk mund të kenë mendim të pavarur. Një përfaqësues i vëzhguesve të huaj në zyrat e Organizatës ÇOHU! tha se iu është pamundësuar raportimi i hapur për shkak të ndërhyrjes së akterëve ndërkombëtar me deklaratat e tyre në orën dy të pasditës së ditës derisa mbaheshin zgjedhjet. Natyrisht të tëra këto ndodhin nën arsyetimin se Kosova është duke kaluar momente shumë sensitive me procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe me pranimin e pavarësisë. Mirëpo, kjo është një qasje shkurtpamëse. A mundemi ne të bëjmë interpretime në pavarësi të plotë nga ajo që ndodhë në realitet? A mundemi ne pafundësisht t’i hedhim hi syve opinionit ndërkombëtarë? A është më i rëndësishëm ndërtimi i institucioneve demokratike, themel i të cilave janë zgjedhjet e rregullta, apo proceset që sado të vështira janë kalimtare?

Në të vërtet, ajo që ndodhi me Prizrenin, Gjilanin, Lipjanin, Mitrovicën e Gjakovën dhe kontradiktat në qasjen e Komisionit të Zgjedhjeve dhe sidomos KZAP-it, tregon për një interferim të politikës në këto institucione. Së pari, ankesa të mbështetura kanë ardhur edhe nga Mitrovica e Gjakova, por KZAP nuk i ka marrë para sysh. Së dyti ishte e qartë se qëndrueshmëria e koalicionit aktual qeverisës ishte direkt e lidhur me atë që do të ndodhte në Prizren dhe Gjilan. Koalicioni aktual qeverisës nuk prekej shumë me atë që po bëhej në Mitrovicë e Gjakovë dhe për rezultat KZAP-i thjesht i mbylli këto raste pa i marrë seriozisht ankesat. Prizreni e Gjilani shkojnë në rivotim pse deshën partnerët në koalicionin qendror, jo pse KZAP-i gjeti më shumë shkelje në këto raste. Në fund të fundit në Gjilan e sidomos në Prizren akoma nuk ishin numëruar votat me kusht, të cilat fillimisht u raportua që do të ishin vendimtare për kryetarët e këtyre komunave. Pra, në rast të përsëritjes së zgjedhjeve, ajo që do të ndodhë është e qartë, LDK-ja do ta marrë Gjilanin, PDK-ja Prizrenin. Kështu duket të jenë marrë vesh!

Ajo që lë vend për shumë brengosje është sidomos Prizreni. Mbi njëmijë vota me kusht pritej që ta vulosnin fatin e kësaj komune. KZAP-i bëri një precedencë duke vendosur përsëritjen e votimit për shkak të shkeljeve edhe pse këto shkelje asnjëherë nuk u argumentua se ishin më të mëdha sesa për shembull ato në Gjakovë, ose në Mitrovicë. Kjo lë vend për të dyshuar se vendimi për përsëritjen e votimeve në Prizren e Gjilan por mospërsëritja e zgjedhjeve në Mitrovicë e Gjakovë është bërë me intervenime politike. Mirëpo, kjo është thënë edhe më parë. Është një informacion tjetër tepër i rëndësishëm që vjen nga terreni që le të kuptohet se në të vërtet vendimi i KZAP mund të ketë ardhur me ndërhyrje politike. Një numër i madh i votave me kusht në këtë komunë vjen nga zonat e Hasit, rajon ky që ka shumë votues që jetojnë jashtë. Duke pasur para sysh se kjo zonë tradicionalisht në masë të konsiderueshme ka votuar për LDK-në, dikush duhet ta pyes KZAP-in, pse vendosi të mos pres numërimin e votave me kusht, por ta çojë Prizrenin në rivotim?

Për fund, të kuptuarit e rëndësisë që ka integriteti i zgjedhjeve nuk pritet të ndodhi në mesin e akterëve politik, sepse ata garojnë për votat. Opinioni publik ka pritur me padurim vlerësimet e pavarura për procesin, të cilat kryesisht kanë përcjellë vlerësimet zyrtare qoftë vendore qoftë ndërkombëtare. Kjo mbase është fatkeqësia më e madhe e këtyre zgjedhjeve duke qenë se të gjitha të tjerat janë thjesht kalimtare, përfshirë këtu edhe partitë politike në formatin e tanishëm, edhe zyrtarët ndërkombëtarë, edhe qëndrimet e diplomatëve. Praktika e mendimit dhe vlerësimit të pavarur mbi zgjedhjet është ajo që i ngelet ose jo shoqërisë kosovare. Kjo rrezikon të digjet nëse nuk hapim një debat se kush dhe si mund t’i vlerësojë zgjedhjet.

(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)