Çka i duhet ekonomisë së Kosovës? - Rekomandimet e profesorit Muhamet Mustafa

Ekonomisti dhe profesori Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest ka paraqitur një listë të qartë rekomandimesh strategjike për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, duke theksuar se vendi mund të ketë përparim të qëndrueshëm vetëm nëse ndërmerren reforma të thella dhe të bazuara në analizë profesionale.
Mustafa në “Përballje Podcast” tha se Kosova ka nevojë për një qasje të re dhe një model të ri ekonomik të ndërtuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët mund të krijojnë një strategji afatgjatë të rritjes.
“Modeli aktual i rritjes i bazuar në konsum dhe importe, e ka kufizuar përparimin ekonomik të vendit”, ka deklaruar ai.
Ai nënvizoi se ekonomia nuk mund të vazhdojë të mbështetet në konsumin e brendshëm dhe remitancat, por duhet të krijojë mekanizma zhvillimorë më të qëndrueshëm.
- YouTube www.youtube.com
Sipas Mustafës, zhvillimi ekonomik i Kosovës varet drejtpërdrejt nga investimet në kapitalin njerëzor, të cilin ai e cilësoi si “themelin e çdo zhvillimi të qëndrueshëm”.
Profesori Mustafa kërkoi rritje të financimit për kërkim shkencor, lidhje të universiteteve me ekonominë reale, stimulim të inovacionit dhe teknologjisë rritje të kapaciteteve profesionale.
Ekonomisti tha se Kosova investon shumë më pak se vendet e rajonit në kërkim dhe zhvillim, gjë që e pengon konkurrueshmërinë dhe modernizimin e ekonomisë.
Sipas tij, qeveria duhet të sjellë buxhete funksionale dhe realiste e të marrë vendime të mbështetura në analiza.
Ai theksoi se qeverisja ekonomike nuk mund të funksionojë përmes improvizimit, por përmes planifikimit të strukturuar dhe monitorimit të rregullt të performancës.
Një ndër rekomandimet kryesore të Mustafës është zhvendosja e prioritetit drejt industrisë përpunuese, të cilën ai e sheh si potencialin më të madh të rritjes.

“Nëse ne e stimulojmë prodhimin vendor, zvogëlojmë importin dhe krijojmë eksport, atëherë rritja rritet në mënyrë natyrore.”
Ai theksoi se zhvillimi i një baze të fortë industriale do të ndikonte drejtpërdrejt në balancën tregtare, punësim dhe stabilitet ekonomik.
Mustafa paralajmëroi se situatat e vazhdueshme të bllokadave politike dhe zvarritjet institucionale e dëmtojnë seriozisht ekonominë e vendit.
Ai shprehu shqetësim se Kosova mund të humbasë fonde të rëndësishme nga Bashkimi Evropian nëse nuk formohet shpejt qeveria e re pas zgjedhjeve.
Ai tha se stabiliteti politik është parakusht për çdo reformë ekonomike dhe për tërheqjen e investimeve të huaja./Telegrafi/.
















































