Kosova planifikon t’i shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe – duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.
Tensionet atje i ka rritur instalimi i kryetarëve shqiptarë të komunave qysh në fund të majit. Protestat e komunitetit serb kundër tyre – që në disa raste kanë kulmuar edhe në dhunë – vazhdojnë ende.
“Ditëve në vijim, unë do të kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Severna Brigada’ të shpallen organizata terroriste – me çka lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 25 qershor.
Në atë konferencë u fol, po ashtu, për disa armë të konfiskuara në një makinë me targa të Beogradit, një ditë më herët në komunën e Zveçanit. Aty u gjetën edhe disa letra ngjitëse të “Brigadës së Veriut”.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it nëse vendimi për t’i shpallur terroriste dy organizatat, ka shkuar në Qeveri.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se nëse Kosova ka dëshmi se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” ushtrojnë veprimtari me qëllim të cenimit të rendit kushtetues dhe juridik, atëherë i takon shtetit që t’i shpallë këto organizata terroriste.
“Vendime të tilla duhet të jenë të bazuara, të arsyetuara mirë dhe të dëshmuara. Kur një organizatë shpallet terroriste, atëherë vetëm pjesëmarrja në të konsiderohet vepër penale, dhe kushdo që bën pjesë në të, duhet të përballet me ligjin”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Por, një vendim i tillë, sipas Miftarajt, duhet të merret vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në mënyrë që, siç thotë ai, vendimi ta ketë edhe legjitimitetin dhe besimin e tyre.
Çka bën “Mbrojtja Civile”?
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë.
Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.
Atëbotë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civillna zashtita” (Mbrojtja Civile), janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë.
Në nëntor të vitit 2012, dhjetëra pjesëtarë të këtij formacioni kanë kryer ushtrime në sheshet kryesore të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.
“Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake.
Në fillim, organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014.
Ani pse është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Shuarja e “Mbrojtjes Civile” është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por, këto të fundit kanë shprehur vazhdimisht dyshime për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.
Më 29 maj të këtij viti, tensionet në veri, përkatësisht në Zveçan, kanë kulmuar në dhunë midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.
Më 13 qershor, si i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale është arrestuar serbi Millun Millenkoviq, në Mitrovicë të Veriut.
Sveçla ka thënë se ai është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale” në veri.
Çka bën “Brigada e Veriut”?
“Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”
Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.
Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.
Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.
Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, “Brigada e Veriut” ka më shumë prezencë në rrjetet sociale.
Për këtë formacion, gushtin e vitit të kaluar, ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.
“Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiq.
Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.
Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë, në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.
Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.
Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.
Si i trajton ligji i Kosovës organizatat terroriste?
Me ligjin në Kosovë, në rast se organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë.
Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.
Kodi Penal i Kosovës e cilëson “terrorizëm” ekzekutimin e një apo më shumë akteve të përgjakshme “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimit apo shkatërrimit të strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.
Këtu përfshihen një sërë veprash: vrasja, marrja e pengjeve apo rrëmbimi, furnizimi, transportimi dhe përdorimi i armëve, eksplozivit ose armëve kimike, biologjike e të tjera.
Kryerja e veprave terroriste është e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burgim, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim.
Ndërsa, për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim.
Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burgim, njëjtë siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste.
Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëLaert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Vdes edhe personi i dytë pas të shtënave me armë në Klinë
Veliu: Askush dhe asnjë forcë nuk mund të më largoj nga LDK-ja
Mendimi paralajmëron shi dhe borë të enjten - temperaturat në rënie
Gjuajtje me armë në Klinë, një i vrarë dhe një i plagosur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon fjalët që Xuxi tha për familjen e saj: E degjeneruar, e ka lënë nëna kur i ka pasur një vjet
Trump zgjedh shefin e ri të CIA-s
Tifozët e Barcelonës i luten Laportas ta transferojë sensacionin e këtij sezoni që ngjan me lojën e Messit
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale - Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë
Shoferi besnik i Princeshës Diana flet për herë të parë pas 27 vitesh: Më pushuan nga puna pa arsye, po të vozisja unë në natën tragjike ajo sot do të ishte gjallë
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit