Çitaku: Rritja e numrit të njohjeve, jetike për konsolidimin e pozitës së Kosovës në skenën globale

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se njohja nga Sudani përbën edhe një hap drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. E, për njohjen e Kosovës ka reaguar edhe ish-Ministri i Jashtëm dhe ish deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Çitaku, në një postim në Facebook, ka thënë se ky është një lajm i mirë për të gjithë.
“Rritja e numrit të njohjeve është jetike për konsolidimin e pozitës së Kosovës në skenën globale, dhe ky proces bëhet më i lehtë kur punojmë së bashku me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Çitaku.
Edhe ish-ministri i Jashtëm dhe ish deputeti i PDK-s, Enver Hoxhaj ka reaguar pas lajmit të njohjes së Republikës së Kosovës nga Sudani, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare.
“Lajm i mrekullueshëm njohja e Kosovës nga Sudani! Mirënjohës ndaj Sudanit për këtë vendim të drejtë dhe falënderues ndaj Presidentes Osmanit për përkushtimin e saj personal!”, shkroi Hoxhaj.
Njohja nga Sudani përbën një tjetër hap përpara në përpjekjet e Kosovës për forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe për thellimin e bashkëpunimit me vendet e botës islame dhe afrikane.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të intensifikuar të angazhimeve diplomatike të institucioneve të Kosovës për rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare. /Telegrafi/














































