Filmi i gjatë artistik, “Cirku Fluturues” me skenar dhe regji nga Fatos Berisha, do ta ketë premierën botërore në Festivalin e Filmit në Tallin të Estonisë.

“Cirku Fluturues” është komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve 1990, kur një grup aktorësh nga Kosova në mënyrë ilegale kalojnë kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

“Jam i lumtur që po përfundon rrugëtimi i gjatë i prodhimit të këtij filmi dhe njëkohësisht shumë i gëzuar që do fillojmë rrugëtimin në festivale dhe kinema. Jam krenar që puna e të gjithë ekipit është vlerësuar me pjesëmarrje në konkurrencën kryesore në një festival të kategorisë A”, u shpreh Berisha.

Në rolet kryesore në film luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj dhe Shpëtim Selmani. Ndërsa, në rolet dytësore janë: Velibor Topiq, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumoviq, Krist Lleshi etj.

“Cirku Fluturues” është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore.