Cilat parti politike në Kosovë më së shumti korruptohen?
Përvoja e gjertanishme e vendeve në transicion ka dëshmuar të shumtën e rasteve se virusi apo gjeneratori kryesor i fenomenit korrupsionit, një gangrene të stimuluar para së gjithash nga parametrat social institucional, rëndomë fshihet prapa të ashtuquajturve “donatorë” apo në financues të padukshëm që zakonisht në –prag të zgjedhjeve fuqizohen herë edhe si “pronar” të vërtetë të partive te mëdha politike?!.
Tashmë kur në Kosovë kanë filluar zgjedhjet lokale, do të ishte mirë që për hir të publikut shkarazi të identifikojmë disa nga burimet e kësaj sjellje devijante që në fakt nuk ka ndonjë kontroll të theksuar para së gjithash juridike, e të mos flasim sosh politike (!) ku mekanizmat e gjyqësorit të paktën do të inicionin procedurat e nevojshme të denoncimit dhe fund edhe të dënimit meritor.
Pra, siç përmendëm, këta “donatorë” që s’ka dyshim se me këtë mënyrë të “këmbimit të shërbimeve” me këta njerëz dhe këto fantom firma që nënkupton, donacione anonime të majme për fushata që në parim nuk janë asgjë tjetër vetëm “kundër shërbime”, apo thënë edhe më thjesht marrje e tenderëve të mëvonshëm, si kundërshpërblim, kanë arritur të bëhen bashkëpronar të vërtetë edhe të fuqisë politike dhe në një mënyrë apo në tjetrën të diktojnë edhe kushtet e edhe mobilizimin qytetarë! Dukuri kjo që është duke na percjellur prej pas luftës e këndej. Këtë dukuri negative do të mund ta ndërprisnim, vetëm po qe se i ashpërsojmë ligjet dhe po qe se decidivisht i identifikojmë nevojat dhe burimet e për afërta të partive të mëdha:
Si mund të ndalet dukuria e korrupsionit nëpër partitë politike?
Me ligje duhet të përshkruhen të drejtat e dhënies së një donatori të holla të gatshme brenda një viti: pastaj evidentimin dhe mbajtjen e procesverbaleve dhe raporteve mbi :shumën e dhënies, mënyrën e dhënies , si edhe nivelin e parave të gatshme. Po ashtu me ligje të theksuara të ndalohet dhënia e shumave të parave nga ana e donatorëve anonim: personave juridik në të cilët shteti p.sh. ka pjesëmarrje me mbi 25%: njësive të ndryshme komunale: organizatave jo fitimprurëse: atyre humanitare, si edhe organizatave fetare, etj.
Po ashtu, me ligj do të duhej cekur në mënyrë tejet të precizuar të drejtat dhe kompetencat e zyrës shtetërore për revizim, në kontekst të kontrollit të burimeve financiare të partive politike, gjatë dhe pas fushatave zgjedhore.
Nuk fakt, nuk do të duhej përjashtuar as mënyrën e mbikëqyrjes profesionale dhe politike, si edhe qasjen e përhershme të organeve të drejtësisë me qëllim që të disponohen informata sa më të thukëta lidhur me burimet dhe mënyrën e financimit të gjitha partive politike që veprojnë ë skenën politike të Kosovës.
Do të ishte po ashtu, preventive edhe kërcënimi (njëherësh verba!) publik ndajë keqpërdoruesve, qoftë përmes denoncimit në media apo në organet shtetërore. Deri në kërcënime me largime nga regjistrimi i partive politike, një detyrë kjo dhe një obligim ligjor i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP).
Pra, vetëm me një evidencë precize dhe në harmoni me ligjin, do të mund të mundësonim një logjikë luajale të konkurrencës partiake në Kosovë në zgjedhjet e sivjetme të 15 nëntorit.
Do thënë që kjo mënyrë e veprimit publik nuk është diçka e re por një formë shumë e sofistikuar e kontrollit dhe mbikëqyrjes dhe monitorimit permanent të gjithë procesit zgjedhor nëpër partitë politike që do të konkurrojnë në zgjedhjet e sivjetme lokale, në mënyrë që zgjedhjet nacionale të parapara në vitin 2011 t’i presim me një komoditet tjetër fare.
Mediet, shoqëria civile dhe në përgjithësi opinioni i gjerë publik do të mund të bëhen një korrektor objektiv për secilën parti politik.
Deri më tash në jetën publike dhe atë politike ka pasur shumë keqinterpretime shumë keq përdorime në emër të kësaj logjike dhe natyre të financimit të partive politike kosovare. Natyrisht, kjo mënyrë e ashpërsimit të monitorimit ishte e pamundur të ushtrohej në rrethanat e pasluftës kur çdo gjë e kontrollonte dhe e menaxhonte Administrata e UNMIK-ut.
Tani, kur jemi te dobësia ndajë “konfliktit të interesave” tona personale, lokale e sidomos tyreve nacionale nuk duhet të na pengojë’ të ecim përpara dhe t’i denoncojmë edhe publikisht aktorët (qofshin ato edhe partitë politike që menaxhojnë me fuqinë politike(!) dhe prej nga vijnë të gjitha këto sjellje devijante) që dëshirojnë që prapa pluralizmit dhe monopoleve partiake të krijojnë aso benificionesh dhe favoresh ekonomike për vetën dhe grupet e tyre të interesit, sa të dëmtojnë edhe road map-in e procesit të integrimeve të ardhshme evropiane! E themi kështu, edhe për shkak se kuptimi i demokracisë më nuk do ta kishte kuptimin e lirisë dhe të sundimit të ligjit, së bashku me vlerat tjera shtesë që i riprodhon ajo.
Në Kosovë, partitë e mëdha më së shumti janë korruptuar
Andaj, zgjedhjet e sivjetme, ani pse lokale do të duhej të shërbenin si një motiv shtesë për shoqërinë civile për mediet publike dhe ato private të fillojnë të identifikojnë pistat e financimit të disa nga partitë tona të mëdha politike, të cilat fuqinë e ndikimit të tyre në publikun kosovar po e ndërtojnë mbi bazat e “këmbimit të shërbimeve...” dhe “kundër shërbimeve...”, ngase vetëm në këtë mënyrë ne mund të garantojmë se do të përmbushim kriteret dhe standardet verore perëndimore, por do të krijojmë edhe një shpresë për fëmijët tanë që një ditë do të pyesin se çfarë bëmë ne për ta?



































