Është tamam e udhës që ne mos të kemi liberalizim të vizave, ngaqë krahasuar me rrogat varfanjake prej 200 eurosh, është e kotë të kemi liberalizim, se të dalësh jashtë (në Evropë) nuk nënkupton vetëm të shkosh fizikisht por edhe të qëndrosh ashtu si i ka hije një turisti, shpirtërisht. E për të qëndruar ashtu nevojitet një shumë ta quajmë solide për evropianët afër 2000 €, ose në versionin kosovar ta quajmë shumë marramendëse.

Kjo shumë është solide për evropianët ngase aq është përafërsisht paga mujore e tyre. Hiç më larg se duke u nisur nga vetja ime, kur më rastisi të shkoja në Barcelonë për seminar, e vërejta se sa larg i jemi ne jetesës normale të një të riu atje, jo pse ata janë evropianë, por për shkak të kushteve themelore që shteti i tyre u ka siguruar, andaj edhe respekti dhe dashuria për shtet (vend) është më e lartë, veç mos të harrojmë, se të gjithë e duan vendin e vet sikur t’i kishin kushtet e tilla, askush nuk po kërkon nga ky shtet që të pajisemi me helikopterë privatë.

Fqinjët e Kosovës aq shumë e paskan të zhvilluar “sistemin solar” sa që t’ia nisin të udhëtojnë gjithandej pa viza. Kjo me të vërtetë më bën të ndjehem disi i irrituar duke e kujtuar se shpresa as që është e afërt që ne të arrijmë një gjë të tillë, duke pasur parasysh 5-shen famshme të BE-së. Sidoqoftë ata nuk kanë faj që ne radhitemi gati në fund të botës, jo gjeografikisht, por për nga liria e lëvizjes, duke pasur parasysh se ne jemi gati në mes të Evropës.

A është e vështirë të shohësh në TV-të kosovare, se Kosova mbetet vendi më i izoluar në botë, ç’faj i kam unë këtij vendi i cili nuk është i prapambetur, krahasuar me vende të ndryshme si Afganistani, Namibia, apo edhe Xhibuti, por as përparimtar sa Maqedonia “e largët”. A e meritojmë ne këtë izolim??? Paskemi studiuar koti, paskemi mësuar gjuhën dhe kulturën e huaj që ta përdorim në shtëpi, të flasim me kompjuterin apo edhe të meditojmë se edhe ne jemi si “ata” [THE YOUNG EUROPEANS].

Në substancë ne trajtohemi njësoj në Evropë, edhe ne jemi qenie njerëzore si të gjithë, edhe ne kemi atribute njerëzore, jemi të integruar në diturinë njerëzore si dhe kemi vlera, sjellje, praktika dhe synime për një jetë më të dinjitetshme, e po ashtu edhe ne kemi dëshirë që të paktën njëherë në jetë të shohim se si duket kulla e Ajfelit në Paris, apo La Sagrada Familia në Barcelonë, por pa pritur në radhë nëpër të ftohtë për tu pajisur me vizë apo jo, për shkak të paragjykimeve se ne jemi apo jo për këto përfitime.

Krejt kjo i kushtohet qytetarëve të thjeshtë të cilët mundohen për një jetë solide të cilën edhe në dekadën që po nis ende rrymën nuk po mund ta paguajnë me rrogat që i marrin, e për atë qëllim liberalizimi i vizave për ta mbetet një imagjinatë. Por, në anën tjetër liberalizimi nuk i prek pushtetarët tanë (për shkak se ata janë kudo dhe kurdoherë që iu teket), për shkak se ata i marrin nga 4 apo edhe 5 paga (‘vet i kemi zgjedh’). Kjo nuk është mllefi im, sepse sikur të ishte nuk do të shkruaja, por si të gjithë qytetarët do të flisja me shokë dhe nuk do të zgjidhja asgjë. Ky shkrim imi ka të bëjë me realitetin e hidhur që ne po e përjetojmë.

Por ndoshta është më mirë që ne të qëndrojmë besnik në vendin tonë të dashur, sepse sikur të gjithë të dalim jashtë, kush do mbetet këtu, duhet ta duam vendin tonë dhe të mos dalim jashtë askund, se tekefundit ekzistojnë edhe dy mundësi tjera që ta shohim Evropën: përmes TV-së dhe internetit.

Falë Zotit që të paktën nuk po kemi probleme me klimën globale, sikur vërshime, apo shira rrëmbyes, se atëherë jeta jonë nuk kishte me pas kuptim.