Chelsea mendon për transferimin e mbrojtësit italian për t'u përforcuar në repartin defensivë

Giorgio Scalvini po rikthehet në vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, pavarësisht pengesave të fundit me lëndimet. Qendërmbrojtësi i Atalantës është objektiv i ri për Chelsean.
Sipas “TUTTOmercatoWEB”, Chelsea po përgatit një ofertë serioze për mbrojtësin 21-vjeçar, i cili ka qenë prej kohësh në radarët e klubeve të Ligës Premier, përfshirë edhe Newcastle United.
Atalanta nuk ka ndërmend ta shesë lirë talentin e akademisë së saj. Klubi nga Bergamo po kërkon 60 milionë euro për kartonin e Scalvinit, një shumë që Chelsea nuk është në gjendje ta paguaj.
Atalanta tashmë ka përfunduar disa largime këtë verë, duke shitur Mateo Reteguin dhe duke negociuar me Interin për transferimin e Ademola Lookman. Shitja e Scalvinit mund të jetë lëvizja e radhës.
Megjithatë, historia e dëmtimeve të mbrojtësit mbetet një faktor shqetësues. Në qershor 2024, Scalvini pësoi një këputje të ligamentit të përparmë, duke humbur kështu Euro 2024 me Italinë.
Pas rikthimit në dhjetor, fati nuk ishte në anën e tij, pasi ai dëmtoi sërish shpatullën dhe iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale.
Chelsea është në kërkim të një qendërmbrojtësi të ri për të përforcuar repartin defensivë, por do të duhet të vendosë nëse rreziku me Scalvinin ia vlen përballë potencialit dhe çmimit të lartë që kërkon Atalanta. /Telegrafi/










































