Çfarë pritet të ndodhë në Emmy Awards 2025? Aktori i "Adolescence" mund të thyejë rekordin si aktori më i ri që fiton çmim

Mbrëmja më e rëndësishme e televizionit, Emmys, do të mbahet këtë të diel në Peacock Theatre, Los Angeles, ku serialet më të suksesshme të vitit do të garojnë për çmimet prestigjioze.
Ndër projektet kryesore që pritet të shkëlqejnë janë Adolescence, The White Lotus, Severance dhe The Penguin, ndërsa në garë janë edhe produksione të tjera si The Studio, Andor, Hacks, Slow Horses, The Bear, Nobody Wants This dhe The Last of Us.
Një rekord i mundshëm historik
Owen Cooper, aktori britanik 15-vjeçar i serialit të Netflix-it Adolescence, ku luan rolin e një adoleshenti të akuzuar për vrasjen e shokut të klasës, mund të bëhet aktori më i ri mashkull në histori që fiton një Emmy. Deri më sot, rekordi i përket Roxana Zal, e cila fitoi në vitin 1984 në moshën 14-vjeçare, shkruan BBC.
Kush po e udhëheqë ceremoninë?

Këtë vit prezantues i Emmys është komediani amerikan Nate Bargatze, i cili vitin e kaluar shiti më shumë bileta shfaqjesh se çdo stand-up tjetër në SHBA. I njohur për humorin familjar dhe stilin e vëzhgimit të jetës së përditshme, Bargatze ka thënë se është “një nder i madh” të udhëheqë ceremoninë.
Ai ka vendosur edhe një rregull interesant: do të dhurojë 100 mijë dollarë për bamirësi, por shuma do të ulet çdo herë që një fjalim falënderimi tejkalon kohën e lejuar. “A ia vlen të falënderosh menaxherin e dytë duke i marrë ushqimin një fëmije? Nuk e di, por do ta shohim çka mendon Hollivudi”, është shprehur ai me humor.
Nominimet kryesore
- YouTube youtu.be
Çmimet ndahen në tri kategori kryesore: komedi, dramë dhe seri të limituara.
- Drama: The White Lotus, Andor, Paradise, Severance, The Last of Us, The Pitt, Slow Horses dhe The Diplomat.
- Komedia: The Bear dhe Hacks kërkojnë të rimarrin titullin, ndërsa përballen me Abbott Elementary, Nobody Wants This, Only Murders in the Building, What We Do in the Shadows, Shrinking dhe The Studio.
- Seri të limituara/antologji: Adolescence kryeson listën, duke konkurruar me Black Mirror, The Penguin, Dying for Sex dhe Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story.
Në mesin e aktorëve të nominuar gjenden emra të mëdhenj si Cate Blanchett, Jake Gyllenhaal, Colin Farrell, Ayo Edebiri, Jean Smart, Kathy Bates, Jeremy Allen White, Bella Ramsey, Gary Oldman, Pedro Pascal, Michelle Williams dhe Stephen Graham. Në kategoritë mbështetëse spikasin Aimee Lou Wood, Walton Goggins, Jason Isaacs, Catherine O'Hara, Sam Rockwell, Colman Domingo, Harrison Ford, Javier Bardem dhe Erin Doherty.
Garë e nxehtë për kategorinë "talk show"
Një interes të madh këtë vit ka zgjuar edhe kategoria e variety talk series, sidomos pas vendimit të papritur të CBS për të anuluar The Late Show with Stephen Colbert, pavarësisht popullaritetit të tij.
Kolegët e Colbert, përfshirë rivalët e tij në garë, kanë nisur një fushatë publike në mbështetje të tij. Madje, Jimmy Kimmel ka blerë një billboard në West Hollywood me mbishkrimin: “I’m voting for Stephen”.
The Late Show tashmë ka marrë një çmim të parë javën e kaluar në Creative Arts Emmys, për regji, dhe tani synon trofeun kryesor në kategorinë e bisedave. /Telegrafi/


























































