Në këtë javë, kudo që shkon ka një temë bisede. Ajo është temë aq e ndjeshme saqë njeriu nganjëherë s’mund ta besoj. Të bëhet aq e rëndësishme një deklaratë e një “krimineli” e të mos arrestohet ai, por vetëm i caktohet masa e burgimit shtëpiak ndodhë vetëm në Kosovë.

Deklaratë përmbajtjesore, me emra konkretë, me veprime direkte që tronditi jo vetëm qytetarët e rëndomtë por edhe klasën politike, publikohet dhe besohet menjëherë, edhe kjo ndodhë vetëm në Kosovë.

Këtë javë u bë publike një video e cila po tronditë çdo ditë e më shumë popullatën e Kosovës.

Personazh kryesor i kësaj video është një MERCENARË, siç thotë ai, i SHIK-ut, e që dëshmon për një seri krimesh që ka bërë kjo organizatë, ku pjesë e 17 prej tyre ishte vetë, por shkon aq larg sa që pranon se është ekzekutor i njërës nga viktimat...

Sa është për tu besuar kjo?-nëse është ashtu siç thotë ai, pse ndodhën këto vepra kriminale? - por çka nëse nuk është ashtu siç pretendon ai?

“Krimineli” thotë se ka kryer këto krime duke menduar se po bën gjeste madhore patriotike, duke u bindur nga hierarkia e SHIK-ut se viktimat ishin “spiunë”, kurse pranon se marrëdhëniet e tij me organizatën ishin prishur si pasojë e mos shlyerjes së detyrimeve nga ana e SHIK-ut.

Besoni se është vepër kombëtare një punë që kryhet me para? - jo ajo është mercenarizëm. Nuk e kuptoj se pse populli çudite me këtë deklaratë! - për ekzistimin e një organizate të tillë kanë qenë në dijeni të gjithë, por a është e vetmja organizatë e llojit të tillë kjo?

E dini Sigurimin e Atdheut? - e tillë është edhe ajo. Por në këtë rast SHIK-u dështoi, duke mos qenë në gjendje të zgjedhë agjentët e vetë, duke angazhuar njerëz të tillë.

A është për tu çuditur veprimi i tillë nga ky dëshmitar? - nëse e shikoni nga syri profesional i një hetuesi, lehtë është të bindeni se keni të bëni me një “skizofren”.

Gjestet që bën ai në deklaratat e tij, nuk ngjajnë me ato të një personi të gjendjes normale mendore, thotë se japë këtë deklaratë se jam penduar për ato që kam bërë, dhe në fytyrën e tij nuk paraqitet as edhe një shenjë mërzie, por se vetëm shihet një krenari.

Jep deklaratë në mes të Prishtinës, prapë me gjeste anormale, pranon krimin për herë të dytë, përgjigjet para gazetarëve me krenari, duke ditur se atë do ta dëgjojnë edhe familjarët e viktimave, vazhdon më tej si një “kapadai” që ka çliruar Kosovën i vetëm.

Kjo pra bën publike se çfarë pseudo-organizate ishte SHIK-u.

Nëse është ashtu siç pandeh “krimineli”, pse ndodhën këto?- për një vend që del nga lufta këto janë krejt normale! - ashtu edhe në vendet tjera ndodhin, vriten “spiunët”, likuidohen kundërshtarët, por ama jo në sy të familjes, por ama ka një rregull dhe një hierarki që respektohet.

A ka vend për shqetësim tek qytetarët? - qytetarët nuk duhet shqetësuar nga kjo video, ata duhet shqetësuar për personat e implikuar në të. As për siguri nuk duhet shqetësuar qytetarët, ata duhet të shqetësohen për përfundimin e këtij “seriali thriller”, a do përgjigjet dikush për këto krime, ato dolën në shesh. Probabiliteti është 00, pse? - sepse krimet e tilla janë profesionale, dhe në to nuk lihet gjurmë, apo thënë shkurt shteti humb vete gjurmët.

Por pse e bëri? - e bëri sepse ai tashmë vet ndihet shumë i sigurt, e ruan Policia e Kosovës, por edhe nëse nuk do ta ruajnë ata, atë e ruajnë vetë strukturat e SHIK-ut, ngase nuk është në interes të tyre ai të vritet. Por arsyeja numër 2 e ruajtjes nga SHIK-u, është që të dinë personat bashkëpunues të tij, e që te kunderargumentojnë çdo gjë që thuhet nga ai.

Çka nëse s’është ashtu siç thotë ai?
Ku do të përfundojë kjo? - nëse shkohet me këtë ritëm personi në fjalë do të dënohet për shpifje dhe njollosje personalitetesh.
Por ama nëse ka interes “Dragodani” këtu do bëhet një lëmsh i madh, vështirë që do shpëtojnë ata peshqit e mëdhenj që paralajmëroi EULEX-i!

Andaj shqiptarë të dashur ju lutem të mos e bisedoni këtë temë në prani të fëmijëve, ngase vetëm sa kontribuoni në traumatizmin e tyre, kurse fuqia jonë në këtë vend është “shumë e madhe”, sepse këtu nuk këtë vend nuk ka vetëm peshq të mëdhenj, por ka edhe balena.

Publikimi i videos është një dështim i profesionalizmit gazetaresk, ngase nuk pati të paralajmëruar një moshë ta caktuar për shikimin e kësaj videoje.

Për fund ju them se nëse përfundojnë në grep këta peshq të mëdhenj, e sidomos ato balenat, ushqimin e kemi të siguruar për disa vite rresht.