Klubi gjerman i automobilizmit (ADAC) testoi në pistën e tij në Penzing të Bavarisë gjashtë automjete: BYD Seal, Nio EL6, Kia EV6, Tesla Model Y, Volvo EX40 dhe VW ID.3.

Të gjashta veturat u sollën në mënyrë të ngjashme derisa në një moment u ndalën plotësisht nga mungesa e energjisë.


Paralajmërimi i parë vjen mjaft herët në shumicën e automjeteve, kur shfaqet autonomia e mbetur prej 40 deri në 80 kilometra, ose kur niveli i karikimit të baterisë bie në 15 deri në 20 për qind. Shpesh simboli i baterisë bëhet portokalli ose shfaqet një shënim si “Bateria e ulët” ose “Ju lutemi karikoni së shpejti”. Në këtë fazë nuk ka ende ndryshim në fuqinë e dorëzuar nga vetura.

Faza e dytë zakonisht ndodh kur niveli i karikimit bie nën 10 për qind, dhe përveç paralajmërimeve vizuale, në disa modele shfaqen edhe paralajmërime zanore. Disa automjete gjithashtu sugjerojnë masa kursimi si kalimi në mënyrën “eko”, zvogëlimi i ngrohjes ose kondicionerit të ajrit. Në këtë fazë, vetura mund të vazhdojë të vozitet, por fuqia e plotë nuk është më në dispozicion gjatë përshpejtimit të fortë.

Kur autonomia e mbetur shkon në shifra njëshifrore, shumë automjete fillojnë të kufizojnë dukshëm performancën. Vetura ende mund të vozitet, por me dinamikë të zvogëluar.

Nëse nuk karikoni automjetet dhe vazhdoni vozitjen, autonomia dhe niveli i baterisë do të shfaqen si zero në ekran. Shumë automjete elektrike në këtë pikë tregojnë një simbol breshke, që sinjalizon fuqinë minimale.

Në testin e ADAC, makinat elektrike nuk u fikën menjëherë si një celular pa bateri, por kaluan në një rezervë energjie për raste emergjente. Gjashtë makinat elektrike në test me këtë rezervë mundën të përshkonin 15 deri në 20 kilometra me shpejtësi maksimale 50 km/h, siç ishte përcaktuar nga shoferët testues.

Gjatë kësaj periudhe, fuqia vazhdon të zvogëlohet, dhe vozitja bëhet gjithnjë e më e vështirë. Nëse keni fat, kjo është e mjaftueshme për të arritur në stacionin më të afërt të karikimit.

Kujdes! Kur jeni në rezervën e energjisë për emergjencë, duhet të llogaritni që vetura mund të ndalet në çdo moment, ndaj duhet të parkoni në mënyrë të sigurt, p.sh. anash rrugës ose në një parking.

Kur një veturë elektrike mbetet plotësisht pa energji, më nuk funksionon asnjë sistem. /Telegrafi/