"Çfarë është kjo?", përdoruesit e rrjeteve sociale vërshojnë me kritika mbi veshjen e prezantueses së Eurovisionit

Ka nisur nata e dytë gjysmëfinale e Festivalit Evropian të Këngës (Eurosong), por vëmendja e përdoruesve në rrjetet sociale nuk ishte vetëm te performancat muzikore.
Ata komentuan menjëherë veshjen e pazakontë të prezantueses Hazel Brugger.
“Çfarë ka veshur ajo?”, pyeti dikush në platformën X (ish-Twitter). Ndërsa një tjetër, duke përdorur një krahasim me humor, shkroi në gjuhën gjermane: “Unë kur gjatë pastrimit pranveror më bie mbi kokë një tenxhere me katran dhe një kuti e vjetër me CD të prera”.
Kujtojmë se Hazel Brugger dhe kolegia e saj Sandra Studer u përballën me kritika edhe gjatë natës së parë gjysmëfinale, pas një paraqitjeje që u vlerësua si e çuditshme. Veçanërisht Brugger u kritikua për një moment gjatë spektaklit, ku shfaqi disa “truke” që mund të bënte me gjuhën e saj.
“Çfarë është kjo marrëzi?”, shkroi një përdorues në X, duke publikuar edhe një foto të Hazel ndërsa përdridhte gjuhën. “Edhe unë mund të bëj të njëjtën gjë me gjuhën”, komentoi një tjetër, këtë herë një përdoruese.
Ndër reagimet në rrjete sociale u lexuan komente si: “Eurovizionit këtë vit po i mungon serioziteti”, apo “Sa turp. Ky është me të vërtetë Eurovizioni më i keq ndonjëherë”.
Për kujtesë, Hazel Brugger është poete, komediane dhe prezantuese me origjinë zvicerano-amerikane, ndërsa Sandra Studer është moderatore dhe këngëtare zvicerane, e cila përfaqësoi Zvicrën në Eurovisionin e vitit 1991, ku u rendit e pesta. /Telegrafi/














































