Çfarë blejnë amerikanët? Evropiani mbeti pa fjalë në Walmart

Një evropian vizitoi Walmart-in dhe nuk u besoi syve kur pa çfarë blejnë amerikanët.
Një vizitor evropian në SHBA është bërë viral në TikTok pasi publikoi një video nga një supermarket Walmart, ku u befasua nga madhësia e paketimeve, shumëllojshmëria e produkteve dhe përbërësit e tyre.
Videoja ka marrë më shumë se 9 milionë shikime dhe ka hapur debat për dallimet në zakonet e konsumit mes amerikanëve dhe evropianëve.
Autori i videos, i cili në TikTok përdor emrin @404_sag, me shaka e quajti Walmart-in “një nga atraksionet më të mëdha turistike në SHBA” dhe tha se përpiqet ta vizitojë sa herë që ndodhet në Amerikë.
Në video, ai tregon disa produkte që i duken të pazakonta për një evropian. Fillimisht u befasua nga paketa e madhe e mishit të grirë, të cilën e krahasoi me dorën e tij. Më pas tregoi një picë që peshonte rreth 1.26 kilogramë dhe u habit nga lista e gjatë e përbërësve dhe aditivëve në etiketën e bukës, e cila ndryshon dukshëm nga ajo që shihet zakonisht në Evropë.
Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte kur ai mori një bidon qumështi prej një galoni amerikan, që përmban rreth 3.8 litra. Për shumë evropianë, të mësuar me paketime prej një ose dy litrash, madhësia e tij ishte befasuese.
Vizitori u ndal gjithashtu te rafti i pijeve energjike, ku u mahnit nga numri i madh i shijeve dhe varianteve. Veçanërisht i bëri përshtypje një pije me ngjyrë blu, për të cilën tha se nuk e kishte parë më parë në Evropë.
Videoja nxiti menjëherë komentet e përdoruesve, të cilët nisën të krahasojnë kulturën e blerjeve në SHBA me atë në Evropë. Një komentues me shaka shkroi se ndoshta nuk duhet t’i tregojnë autorit për Costco, ku paketimet janë edhe më të mëdha. /Telegrafi/






































