LAJMI I FUNDIT:

Çelaj: Qytetarët mund të zgjedhin mes Prishtinës reale dhe asaj që udhëhiqet prej Facebook-ut

Çelaj: Qytetarët mund të zgjedhin mes Prishtinës reale dhe asaj që udhëhiqet prej Facebook-ut

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, ka prezantuar platformën qeverisëse për kryeqytetin, në periudhën 2017 -2021.

Ai në tubimin e mbajtur me qytetarët e kryeqytetit ka thënë se kërkesa e vajzave të tij, ka bërë që ai ta marrë vendimin për të hyrë në këtë garë.


Çelaj tha se qytetarët janë para dilemës nëse dëshirojnë një Prishtinë reale me në krye PDK-në, apo një Prishtinës që udhëhiqet prej Facebook-ut.

“Kryeqytetasit mund të zgjedhin në mes asaj se a duan më shumë shkolla apo kifle. A duan më shumë kifle. A duan më shumë parkingje apo kungja”, ka thënë ai.

Çelaj tha se qytetarët janë lodhur nga qeverisja aktuale e Shpend Ahmetit, e cila e ka plot gojën shtet e për çdo ditë e përdhosin republikën.

Ai kërkoi përkrahjen e qytetarëve që ta kthejnë Prishtinën tek qytetarët.

Ndërsa, kreu i PDK-së, Kadri Veseli u shpreh i bindur se Çelaj do të triumfojë në Prishtinë, ashtu siç ka triumfuar në luftë. Ai tha se kundërkandidatët e Lirakut, nëse do ta kishin vetëm 5 për qind të kontributit të tij, nuk do ta linin të fliste fare.

Veseli theksoi se Prishtina për fat të keq është kryeqyteti më i pa strukturuar në Evropë.  Ai e ka quajtur të turpshëm që udhëheqja e kryeqytetit, nuk e ka ndërtuar asnjë vijë për biçikletistë.

Kreu i PDK-së tha se asnjë rrugë me katër korsi nuk e kanë ndërtuar kryetarët e Prishtinës, që nga paslufta, por ende janë ato rrugë që janë ndërtuar në periudhën e komunizmit. Ai shtoi se Prishtina dhe prishtinasit janë lënë në mëshirën e fatit, duke shtuar se  ka ardhur dita që ta ndalin keqqeverisjen e Prishtinës.