Çeku viziton qendrën historike të Prishtinës, e quan zemra e trashëgimisë dhe turizmit të qytetit

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku ka vizituar Qendrën Historike të kryeqytetit, ku pa nga afër shkollën e parë shqipe, tregun dhe punën e zejtarëve që ruajnë mjeshtërinë dhe traditën artizanale të brezave.
“Qendra historike e Prishtinës është vendi ku çdo objekt, e secila rrugicë flet për trashëgiminë, historinë, artin dhe kulturën tonë. Është zemra e kulturës së qytetit dhe një potencial i madh turistik që nuk është shfrytëzuar,” theksoi Çeku.
Në kuadër të platformës “Prishtina 2035”, ai prezantoi planin për transformimin e kësaj zone në një hapësirë të gjallë dhe atraktive: restaurimin e shtëpive historike, gjallërimin e hapësirave publike, ringjalljen e artizanatit dhe kulturës lokale, si dhe krijimin e një zone ku historia, arti dhe turizmi bashkohen.
“Ne duam që çdo turist që vjen në Kosovë të mos largohet pa e vizituar këtë zonë të Prishtinës. Trashëgimia jonë kulturore duhet të kthehet në burim krenarie dhe zhvillimi për Prishtinën tonë,” tha Çeku. /Telegrafi/

















































