Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në detyrë, Hajrulla Çeku ka njoftuar nisjen e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Prishtinë, që synon rijetësimin e plotë të Pallatit të Rinisë në prag të Lojërave Mesdhetare dhe kthimin e tij në një qendër moderne për sport, art dhe rini.

Çeku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 milionë euro për rinovimin e plotë të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Projekti përfshin modernizim total të objektit, përfshirë edhe sallën e djegur, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.


Sipas Çekut, në bazë të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Investime tashmë janë angazhuar studiot projektuese që do të hartojnë projektin e rijetësimit, duke i hapur rrugë fazës së ardhshme të punimeve.

Ai ka theksuar se ekspertiza profesionale vendore dhe ndërkombëtare është bashkuar për ta shndërruar Pallatin e Rinisë në një hapësirë moderne dhe plotësisht funksionale, në shërbim të sportistëve, artistëve dhe të rinjve.

Postimi pa ndërhyrje i Hajrulla Çekut

50 milionë euro për Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Rinovim total, përfshirë sallën e djegur, në përgatitje për Lojërat Mesdhetare, dhe në shërbim të sportistëve, artistëve e të rinjve tanë.

Në bazë të marrëveshjes sonë me Bankën Evropiane për Investime, janë angazhuar studiot projektuese që do të hartojnë projektin e rijetësimit të Pallatit, për t’i hapur rrugë më pas edhe nisjes së punimeve.

Ekspertiza profesionale vendore dhe ndërkombëtare është bërë bashkë për të krijuar një model për modernizimin dhe funksionalizimin e plotë të kësaj ndërtese ikonike të kryeqytetit.

/Telegrafi/

telegrafi sport app