LAJMI I FUNDIT:

Ceka: 20 anije antike i lëmë nën ujë të rrezikohen nga pirateria

Ceka: 20 anije antike i lëmë nën ujë të rrezikohen nga pirateria

Arkeologët shqiptarë zhvilluan konferencën shkencore “Viti arkeologjik 2018”. Gjatë këtij aktiviteti specialistët e Institutit të Arkeologjisë ndalën tek puna e bërë gjatë vitit që lamë pas, evidentimet, por edhe gërmimet, që kanë sjellë risi në fushën e trashëgimisë sonë arkeologjike.

Arkeologu Ilir Gjipali, shef i Departamentit të Prehistorisë në Institutin e Arkeologjisë vlerëson si risi gjatë vitit të kaluar zbulimet në pellgun e Shqipërisë Veri-Perëndimore, ku janë zbuluar qindra varreza tumurale. Ndërsa, sa i përket konservimit të objekteve që janë zbuluar nga gërmimet, Gjipali shton: “Jo të gjitha janë të gërmuara; këto janë vetëm evidentime. Evidentohen ato gërmime që janë shkaktuar nga gërmimet ilegale. Kërkime ilegale ka nga thesarkërkuesit se kanë dëmtuar pjesë-pjesë se bëjnë gërmime klandestine. Këto i kemi evidentuar. Ka në të gjithë territoret tona, kjo është një nga shqetësimet tona edhe të drejtorive rajonale. Janë individë që kërkojnë thesare me qëllim përfitimi. Si në Jug dhe në Veri, në Lindje kemi parë se kanë vënë dorë në monumente të prehistorisë, ka ndërhyrje që kanë vënë dorë”.


Edhe arkeologu Neritan Ceka e sheh shqetësim këtë pjesë, përsa i përket zbulimeve nënujore.

“Kemi dy ekspedita, një që është për njohëse në kepin e Rodonit edhe të Ohrit, që identifikon anije të mbytura. Edhe një ekspeditë, që kalon periudhën 10-vjeçare, që ka nisur identifikimin e relikeve nënujore, që nga kufiri me Greqinë dhe kanë ardhur deri në ishullin e Sazanit. Janë zbuluar mbi 20 anije antike me pasuri arkeologjike, kryesisht amfora që tregojnë lëvizjen e transportit dhe mos t’i identifikojmë, t’i lëmë nën ujë, se rrezikohen nga banditizmi dhe pirateria”, thotë ai. /Shqiptarja/