As Casemiro, por as Ancelotti nuk ia dolën t'i mbanin lotët në konferencën lamtumirëse të brazilianit

Casemiro i ka dhënë lamtumirën Real Madridit në një konferencë ku ishin bashkëlojtarë, Carlo Ancelotti dhe presidenti Florentino Perez, të rrethuar nga pjesa tjetër teknike.
Mesfushori brazilian po largohet nga Los Blancos për në drejtim të Manchester United, me një bagazh tejet të pasur, veçanërisht me pesë Liga të Kampionëve të fituara.
Casemiro tha se ishte një privilegj që të luante për Real Madridin, derisa një ditë do të rikthehet në “Santiago Bernabeu” dhe ta ndihmojë klubin në një pozitë më ndryshe.
“Siç e dini, nuk më pëlqen që të jem në qendër të vëmendjes, do të përpiqem të flas nga zemra", ishin fjalët e para të brazilianit.
“Nëse flas për shokët e skuadrës, nuk mund të mos flas për: Modric dhe Kroos. Ne kemi fituar shumë dhe na ka pëlqyer shumë të luajmë së bashku".
“Kur u largova nga Sao Paulo, e kisha të qartë se do të luaja në ekipin e parë të Real Madridit. Këtu kam ndërtuar jetën time, familjen time”.
“Titulli më i madh që kam arritur është të vij të stërvitem çdo mëngjes në këtë klub”, shtoi mes tjerash mesfushori.

























































