Carragher kritikon ashpër Vinicius Junior, e lidh me shkarkimin e Xabi Alonsos

Legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher, ka kritikuar ashpër Vinicius Junior, duke e akuzuar për sjellje egoiste dhe duke e konsideruar si një nga faktorët kryesorë që çuan në shkarkimin e trajnerit Xabi Alonso.
“Arsyeja pse flas për Viniciusin është sepse ai është problemi më i madh. Ai është një nga turpet më të mëdha që çuan në humbjen e vendit të punës së trajnerit”, ka thënë ish-mbrojtësi anglez.
Carragher nuk i kurseu as kritikat ndaj presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, të cilin e akuzoi se u ka dhënë lojtarëve fuqi të tepruar në dhomat e zhveshjes, duke i kthyer trajnerët në figura të zëvendësueshme.

Duke dhënë më shumë detaje, ish-ylli i “The Reds” shtoi:
“Në ndeshjen kundër Barcelonës, të cilën Real Madridi e fitoi, ai u zëvendësua në minutat e fundit. Trajneri po përpiqej të siguronte rezultatin dhe fitoren”.
“Viniciusi u zemërua, filloi të reagonte dhe të shprehte pakënaqësinë, duke thënë se nuk do të rinovonte kontratën për sa kohë Alonso ishte trajner. Më pas publikoi një deklaratë pas ndeshjes, ku kërkonte falje tifozëve dhe lojtarëve, por jo trajnerit”.
Carragher theksoi se ky episod ishte vendimtar për largimin e Alonsos.

“Kjo është arsyeja pse Alonso humbi vendin e punës, sepse Perez, presidenti i klubit, ka frikë se një nga lojtarët më të mirë në botë mund të mos rinovojë kontratën”.
Në përfundim, ai nënvizoi realitetin e njohur në klubin madrilen.
“Dhe ne e dimë shumë mirë se te Real Madridi, trajneri është i zëvendësueshëm, jo lojtarët. Kështu funksionon ky klub”, përfundoi Carragher. /Telegrafi/





















































