Carlo Ancelotti është shumë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje të re me Kombëtaren e Brazilit, e cila do ta mbajë në krye të Seleçaos deri në vitin 2030 dhe do ta bëjë trajnerin më të paguar të një kombëtareje në botë.

Trajneri italian, që mori drejtimin e Brazilit këtë vit pas largimit nga Real Madridi, fillimisht kishte nënshkruar një kontratë prej 10 milionë eurosh në vit, e vlefshme deri në Kupën e Botës 2026, me bonuse shtesë në rast triumfi në turne.


Marrëveshja e re do t’i sigurojë të ardhmen afatgjatë me pesë herë kampionët e botës edhe pas Botërorit që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ky rinovim pasqyron besimin e madh që Federata e Futbollit të Brazilit ka tek aftësia e Ancelottit për ta rikthyer skuadrën në majën e futbollit botëror.

Në shortin e fundit për Kupën e Botës 2026, Brazili është pozicionuar në Grupin C së bashku me Haitin, Skocinë dhe Marokon.

Me përvojën e tij të jashtëzakonshme dhe sukseset në ligat më të mëdha të Evropës, italiani shihet si figura ideale për t’i sjellë stabilitet dhe përgatitje taktike një grupi që synon rikthimin e dominimit global./Telegrafi

telegrafi sport app