Capello zbulon dy lojtarët më të mirë që ka stërvitur ndonjëherë

Ish-trajneri i Real Madridit, Fabio Capello, ka zgjedhur lojtarët më të mirë që ka stërvitur gjatë karrierës së tij.
Capello ka rikthyer në vëmendje debatin mbi lojtarin më të madh që ka stërvitur gjatë gjithë karrierës së pasur si trajner, duke e vendosur Ronaldon brazilian në krye, pa asnjë dilemë.
Trajneri italian, i njohur për disiplinën dhe standardet e larta, ka folur hapur për talentin e jashtëzakonshëm të “Fenomenit”, duke e renditur atë mbi emra legjendarë si Marco van Basten.
“Ronaldo, braziliani. Dhe pas tij, Van Basten, shumë afër. Kur unë e stërvitja Ronaldon, ai nuk kishte lëndime, por nuk donte... Nuk i pëlqente të humbiste peshë, e donte jetën... Dhe unë e përjashtova nga Real Madridi. Por nëse më pyetni se kush ishte më i miri, përgjigjja është e thjeshtë: Ronaldo, pa dyshim", ka thënë fillimisht Capello.

“Problemi i tij nuk ishte stërvitja, por pesha e tij. Te Real Madridi, ai peshonte 94 kilogramë dhe unë e pyeta: ‘Kur fitove Kupën e Botës në Japoni në vitin 2002, sa peshoje?’ ‘84’, u përgjigj ai. ‘Epo, nuk mund të jesh 10 kilogramë më i rëndë tani, Ronnie’, i thashë”, përfundoi trajneri italian.
Ndryshe, Capello dhe Ronaldo punuan së bashku te Real Madridi në sezonin 2006/07. Nën drejtimin e trajnerit italian, sulmuesi brazilian luajti 13 ndeshje për klubin madrilen dhe shënoi katër gola. /Telegrafi/




































