LAJMI I FUNDIT:

Cakolli i KDI-së: Çfarëdo iniciative për ndryshimin të legjislacionit zgjedhor në këtë moment politik është e gabuar

Cakolli i KDI-së: Çfarëdo iniciative për ndryshimin të legjislacionit zgjedhor në këtë moment politik është e gabuar

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se secila iniciativë për ndryshim dhe plotësim të ligjit zgjedhor në këtë momentum politik është e gabuar.

Cakolli përmes një postimi në Facebook ka dhënë edhe arsyet, pse mendon që kjo është një iniciativë e gabuar.


Postimi i plotë:

Në këtë momentum politik, çfarëdo iniciative për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit zgjedhor, pavarësisht përmbajtjes, është e gabuar për të paktën dy arsye:

– Në radhë të parë, kjo iniciativë aty-për-aty, po bëhet pa konsultim me opozitën, në kundërshtim me parimin e gjithëpërfshirjes dhe transprencës – që duhet domosdo ta shoqërojnë procesin e reformës.

– Së dyti, kjo iniciativë, edhe nëse nuk ka fare lidhje me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare (si formë presioni), është sërish në kundërshtim me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, të Komisionit të Venecias. Ky i fundit, parasheh që elementet themelore të sistemit zgjedhor, veçanërisht ato që mund të kenë ndikim përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve, nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit para zgjedhjeve, ose si ndryshime, duhet të parashihen në Kushtetutë apo ligje të një niveli më të lartë se ligjet e zakonshme. E Kosova domosdo të ketë zgjedhje të rregullta të nivelit lokal në vjeshtë të këtij viti.

Kosova ka nevojë për reformim përmbajtësor e teknik të sistemit zgjedhor, por jo me iniciativa të parcializuara që adresojnë secila elemente të caktuara. Mbi të gjitha, reformimi i sistemit zgjedhor duhet të reflektojë një konsensus më të gjerë politik. /Telegrafi/