LAJMI I FUNDIT:

Bytyqi: 70% e kompanive kanë paguar tatimin e solidaritetit

Bytyqi: 70% e kompanive kanë paguar tatimin e solidaritetit

Zv. kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi është i kënaqur nga pjesëmarrja e kompanive në Ligjin e Tatimit të Solidaritetit. Mjetet e mbledhura për këtë bazë, siç deklaroi sot, do të destinohen për masat antikrizë dhe do të shkojnë te kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.

“Pjesëmarrja është adekuate. Mendoj se sipas informacioneve të fundit rreth 70 për qind është mbledhur tatimi. Kompanitë tjera janë duke punuar në mënyrë aktive me Drejtorinë e të Ardhurave Publike për të parë se si do ta përmbushin obligimin ligjor”, tha Bytyqi.


Lidhur me njoftimet për uljen e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, të cilat sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese u rritën për 78 për qind, Bytyqi tha se grupi punues është duke punuar për gjetjen e zgjidhjes ligjore dhe se ndryshime eventuale duhet të pësojnë rreth shtatë ligje.

“Njëkohësisht, duhet të kemi parasysh që të mos shkelet parimi i vetë ligjeve, sepse mund të arrijmë lehtësisht në zgjidhje ligjore që janë antikushtetuese, siç ishte vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, 1.260-të zyrtarët do të përfshihen me një zgjidhje, por nuk mund të paragjykoj se cila është zgjidhja”, tha Bytyqi.