LAJMI I FUNDIT:

Buzëqeshje kosovarësh në Durrës dhe një hapje totale me Kosovën!

Buzëqeshje kosovarësh në Durrës dhe një hapje totale me Kosovën!

E njoh psikologjinë e njeriut që vjen për punë ose pushime larg vendlindjes së tij. Qoftë edhe kur vjen kosovari në vend të tij në territorin e Shqipërisë.

Psikologjia e njeriut nuk shfaqet te fjalët, por te gjuha e trupit. Te lëvizja.


Kur eci me veturë rrugës së plazhit bëj kujdes që sidomos individëve burrë a grua, që kalojnë tej e tej, t’u le rrugën.

T’i respektoj.

Ndaloj dhe sipas rregullit të kortezisë ua bëj me dorë: Lutem kaloni!

Pastaj u shoh fytyrën dhe ecjen.

Fytyra u ndriçon nga gëzimi dhe buzëqeshja u kap buzët. Kokë ulur, ecin me hap të shpejtë sikur të duan mos të më vonojnë duke pritur.

Pse nxitoni? Se mos kam ndonjë punë urgjente unë?

Ndonëse është e drejta e tyre të kalojnë dhe detyra im të pres!

Nuk janë të gëzuar se kalojnë shpejt, jo, kanë kohë boll, por sepse ndihen si të respektuar nga dikush me targa Shqipërie në Shqipëri. Atje ku ne të këtejshmit bëjmë pak si gjela pulastreni a thua se e kemi me tapi tokën, deti, rërën, diellin.

Nga ai gëzim, ndjej se ata të urtët ndihen pak si të ndrydhur në plazhet tona. Ndryshe ai gjest nuk kishte se përse t’u bënte përshtypje.

Hajdeni kosovarë në plazhet tona!

Janë edhe tuajat!

Sa mijëra shqiptarë lahen e shplahen në plazhet e Greqisë, Italisë, e ju duhet të merrkeni leje për të ardh në këto plazhet tona naive dhe paksa idiote!

Hajdeni për çfarë të doni dhe mos pyesni fare për ne budallenjtë dhe kokëtrashët!.

Për patriotizëm, për t’u nxirë, për t’u dalldisur pas qefit të klubeve të striptizës, këndoni këngët tuaja, lahuni me rroba, me bikini, me brekushe, sipas qefit. Notoni, pllaqurisuni, vraponi, luani me top, hajdeni për seks, për cmime më të mira, për patriotizëm, kozmopolitizëm, a për komunizëm. Si ta keni qefin.

Deti Adriatik dhe Jonian na bashkon ju me ne, ne me ju, ne dhe ju me peshqit, gaforret, kandilët e detit, me hënën që reflektohet mbi dallgë në muzg.

Hajdeni dhe hani çfarë të keni qef, pula, këmbë bretkosash, pispili, sufflaqe, shli, sardele, ton, djathë, akullore stratçateli, bëni byreqet tuaja a hani byrek durrsak, bakllava Sulltan a torta me petë, pica Erdogan a qofte te pista Vitamin Aga.

Hajdeni e mos pyesni se ne nuk jemi ata që mund t’u ftojmë ju! Nuk është prona jonë asgjë që i takon natyrës.

Dhe bëni kujdes kur ne ju kthejmë kusurin, se ju vjedhim ne, mos u mërzisni që parkojmë keq se veturave nuk dimë t’u hipim ne, nuk mbjellim lule, plehra gjithandej, madje na falni se shpesh nga që nuk dimë mirë shqip dhe nuk kuptojmë kur ju flisni shqipen e bukur dhe jo atë të katundit tonë.

Madje edhe kur ca si unë u hapin udhën, as mos e kuptoni si nder, por si një të drejtë tuajën.

Kaloni kosovarë!

Kaloni çamë!

Kaloni Kavajas!

Kaloni Gjirokastritë!

Kaloni tetovarë a çfarë të jeni nga Struga, Ohri, Gostivari!

Shyqyr që nuk jemi vetëm!

Mos na lini vetëm se jemi depresivë ne dhe nga vetmia vrasim shpesh edhe veten!

Hajdeni dhe ikni për çfarë të doni, kur të doni, sa të doni, ku të doni!

Nuk ju uroj mirëseardhjen fare se kush jam unë që të kujtoj se jam te unë dhe ju jeni këtu te mua???

——————————————————————————–

Hapje totale me Kosovën!

Miq dhe lexues këtu në Facebook më falënderojnë kot, a thua se kam bërë dhe bëj ndonjë gjë me vlerë, dhe pse? Sepse ndjehem mirë kur u lë rrugën plazhistëve nga Kosova, Berati, Gjirokastra, Ulqini, Mirëdita, etj., kur ata kalojnë nga njeri trotuar te tjetri këtu në plazh në Durrësin mikpritës?

Normale mo! E bëj sepse ashtu më pëlqen, përpos e kam me rregulloren e rrugës.

Po, ajo nuk ka rëndësi.

Puna është se unë, duke mos qenë fare nacionalist, madje me disa devijime të lehta kozmopolite, jam për hapje totale me Kosovën.

Kur?

Sot mo!

Çdo i ri shqiptar që nga gjimnazi e lart ta bëjë shkollën ku të dojë në Kosovë a Shqipëri. Ato kuotat idiote, proteksioniste, për trojet në Universitetet shqiptare më bëjnë me turp.

Kuota burokratësh pa asnjë vlerë!

Gazetat, librat, revistat, tekstet, nga Shqipëri në Kosovë dhe nga Kosova në Shqipëri, të transportohen falas si akti i madh amerikan që për gazetat nuk kishte pullë poste.

Hajde baballarë të Kushtetutës amerikane hajde!

Kolosë, dhe jo maskarenj dyleksha!

Në Prishtinë të funksionojë me paret e shtetit të Kosovës Shtëpia e Kulturës e Shqipërisë dhe në Tiranë me lekët e Shqipërisë Shtëpia e Kulturës e Kosovës.

Heqje e të gjitha taksave dhe e barrierave doganore !

Poshtë histeria proteksioniste që u shërben vetëm biznesmenëve të paaftë!

Heqje e çdo kontrollit në kufi !

Konkurrim i lirë për në postet e administratës shtetrore të dy vendeve për qytetarë Kosovarë ose nga Shqipëria pa marrë parasysh se ku jetojnë.

Tregti e lirë dhe sipërmarrje e lirë pa asnjë kusht ose detyrim shtesë, pra si për vendasit.

Hapja e një kanali në Televizionet publike përkatëse të kanaleve televizive të ndërsjella.

Tekste mësimore të diversifikuara, por që mund të zgjidhen lirisht nga të gjitha shkollat në Kosovë dhe në Shqipëri.

Konkurse dhe olimpiada shkollore të përbashkëta.

E drejtë e hapjes së gjendjes civile për çdo qytetar në çdo qytet të të dy vendeve pa kufizim.

Ne kemi nevojë për qytete multikulturore!

E drejtë për çdo rezident nga të dy vendet për të votuar për pushtetin lokal atje ku jeton.