Për miratimin e projektbuxhetit të këtij viti në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane kërkon konsensus politik dhe pa kushtëzime nga partitë parlamentare.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar në parim projektligjin për buxhetin.

Ndonëse koalicioni qeverisës nuk mori mbështetjen e dy partive me të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, një mbështetje të kushtëzuar mori nga subjekti i tretë opozitar, Partia Socialdemokrate, çka ishte e mjaftueshme që të miratohej në leximin e parë.

Kjo e fundit ka paraqitur pesë kërkesa në mënyrë që deputetët e saj ta votojnë edhe në lexim të dytë këtë projektligj. Ndër pesë kërkesat janë: Ligji për paga të miratohet në lexim të dytë në të njëjtën seancë me projektbuxhetin 2019, ligji për dialogun të miratohet në Qeveri, ligji për Qeveri të sillet në Kuvend për miratim që mos të ketë më shumë se 2 zv. ministrat për ministri, shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, si dhe kërkesa e pestë themelimi i komisionit të veçantë për draftimin e kodit pensional dhe reformës së plotë që do të drejtohet nga PSD.

Drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë për KosovaPress se të gjitha partitë politike duhet të arrijnë konsensusin e nevojshëm, ashtu që së paku çështja e buxhetit të mos shndërrohet në një mjet për realizimin e qëllimeve politike, pavarësisht subjektit politik brenda Kuvendit të Kosovës.

“Projektligji për buxhet duhet të jetë ligji i fundit me të cilin dikush kushtëzon ndonjë proces tjetër apo ndonjë aktivitet tjetër brenda Kuvendit të Kosovës dhe brenda skenës politike në përgjithësi. Do të doja të shihja një konsensus për aprovimin e ligjit në leximin e dytë që në seancën e parë pas kthimit të deputetëve nga Kuvendi”, ka theksuar Zeka.

Ai thotë se projektligji i buxhetit për këtë vit duhet aprovuar ngaqë çdo vonesë ndalon shpenzimet ose investimet kapitale.

“Ne si Odë Amerikane do të donim të shihnim që sa më shpejt të jetë e mundur, menjëherë pas kthimit të deputetëve nga pushimi, projektligji i buxhetit për vitin 2019 të aprovohet, meqenëse kjo frenon shpenzimet ose investimet kapitale, pengon natyrisht edhe funksionimin e administratës shtetërore dhe diçka e tillë do të shkaktonte probleme shtesë në një shtet i cili tashmë ka probleme të shumta. Frenimi i investimeve kapitale natyrisht që do ta lente sektorin privat pa një infuzion të parave të gatshme, duke e ditur që shteti megjithatë mbetet blerësi më i madh i mallrave dhe shërbime të sektorit privat”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se projektbuxheti për këtë vit do të miratohet në lexim të dytë në fund të këtij muaji, pasi deputet e Kuvendit të Kosovës janë në pushim.

Kryeministrin Haradinaj tha se do të përmbushen edhe kërkesat e PSD-së për buxhetin.

“Votimi i buxhetit ka mund të ndodhë tani në këtë kohë, por parlamenti është në pushim. Seanca do të thirret në fund të këtij muaji, sepse kemi bërë një konsultë, i kam takuar shefat e grupeve parlamentare. PSD i ka disa kërkesa që qëndrojnë realisht. Jemi ra dakord që të votojmë edhe projektligjin për pagat, projektligjin për Dialog. Janë edhe disa tema të tjera, që besoj se do t’i realizojmë”, ka thënë Haradinaj.

Lulzim Rafuna, këshilltari i ministrit të Financave, Bedri Hamza ka thënë se mosvotimi i buxhetit për këtë vit në kohë reale nuk paraqet krizë buxhetore, për arsye se kanë filluar këtë vit në përputhje me dispozitat ligjore të ligjit për menaxhimit të financave publike, ku autorizohet Ministrinë e Financave që të bëjë ndarjen e buxhetit 1/12 për muajin janar, ndarje kjo e cila është bërë nga kjo ministri qysh në ditët e para.

Sipas tij, projektligji është i përgatitur dhe është një buxhet i cili i ka dhënë një prioritet sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe arsimit.

“Tani jemi në pritje ashtu edhe siç është thënë edhe në Qeverinë e Kosovës, që java e tretë e muajit janar buxheti të jetë në kuvend për votim në lexim të dytë. Ne besojmë që kjo do të ndodhë për arsye se është një buxhet, i cili është më i larti që ka qenë ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Është një buxhet që është 2.3 miliardë. Është një buxhet i cili ka marrë për bazë gjithë kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës… Kështu që është një buxhet që duhet të votohet, pavarësisht deklarimeve politike, shteti nuk bënë që mos ta votoj buxhetin”, ka thënë ai.

Nora Jusufi nga Instituti GAP ka thënë për KosovaPress se kanë bërë një analizë të projektbuxhetit për këtë vit dhe kategoria e luftës ka më shumë buxhet se kategoritë sociale dhe të tjera.

Jusufi ka thënë se zakonisht GAP ngrit çështje për diskutim për parlamentarët para se ta votojnë atë, dhe të shohin realisht nëse buxheti është ndarë sipas objektivave dhe kujt t’i jepet prioritet më shumë.

“Në bazë të asaj analize kemi parë që buxheti për veteranët e tejkalon buxhetin për kategoritë sociale, i cili do t’i ndihmonte njerëzit të dalin nga varfëria. Këto çështje i ngrisim për diskutim që parlamentarët ta vlerësojnë se kjo duhet votuar apo jo. Ky është vetëm një fakt ndër të tjerët, të cilin e kemi listuar në raport”, ka thënë Jusufi.

Ndërsa, eksperti financiar Hekuran Murati ka pasur disa kritika për projektbuxhetin, duke thënë se në të kaluarën, te pjesa e të hyrave, zakonisht ka pasur nën-performim në kategorinë e të hyrave të njëhershme, si në rastin e të hyrave nga shitja e telekomit, licencave të ndryshme, apo edhe dividentave.

Sipas tij, kësaj radhe po ashtu është planifikuar një shumë e konsiderueshme e të hyrave të tilla kryesisht nga fondet e AKP-së, të cilat vështirë se do të realizohen sipas planit, meqë ajo varet më tepër edhe nga gjykata.

“Tek pjesa e shpenzimeve, kategoria e vetme që rëndom nuk realizohet sipas buxhetimit është ajo e shpenzimeve kapitale. Kjo për shkakun se ministritë e linjës nuk bëjnë planifikimin adekuat të projekteve dhe kanë mangësi në kapacitetet për implementim të tyre. Andaj edhe për vitin 2019 për mendimin tim do të përcillet trendi i njëjtë”, ka thënë Murati.

Për skemat sociale, Murati ka thënë se tashmë kanë arritur pothuajse nivelin e pagave, dhe problemi është që pritet të rriten edhe më tutje. Kjo, sipas tij, është barrë e papërballueshme për vendin.

Ndryshe, projektligji për buxhetin e këtij viti që parashihet të jetë 2.3 miliardë euro, është votuar në lexim të parë nga deputet e Kuvendit në fund të vitit 2018.