Burri japonez shfrytëzoi politikën e rimbursimit të platformës së shpërndarjes – gjatë dy viteve hëngri 1,000 vakte falas

Një 38-vjeçar në Japoni është arrestuar pasi për dy vite arriti të marrë më shumë se 1,000 vakte falas nga një platformë për porosi ushqimi, duke përfituar mbi 3.7 milionë jenë, ose rreth 23,000 euro.
Ai, i identifikuar si Takuya Higashimoto, porosiste ushqim dhe më pas pretendonte në aplikacion se porosia nuk kishte mbërritur për të marrë rimbursim.
Për të fshehur gjurmët, ai përdorte 124 llogari të rreme me numra telefoni dhe adresa të falsifikuara, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Mashtrimi i tij zgjati për më shumë se dy vite para se të zbulohej nga autoritetet.
Higashimoto pranoi se “nuk kishte mundur të ndalej” pasi filloi të përfitonte nga skema.
Pas ngjarjes, kompania Demae-can njoftoi masa të reja për verifikimin e identitetit dhe parandalimin e mashtrimeve të ngjashme. /Telegrafi/

















































