LAJMI I FUNDIT:

Burgim të përjetshëm ndaj të pandehurit për vrasje të vëllait në Gjakovë

Burgim të përjetshëm ndaj të pandehurit për vrasje të vëllait në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit G.K, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për dy vepra penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas një njoftimi për media, kryetari i trupit gjykues i departamentit për krime të rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burgim të përjetshëm.


“I pandehuri G.K, akuzohet se më datën 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, për shkak të konflikteve që kishin mes tyre lidhur me pronën, i akuzuari G.K me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K., ku me pas e ka djegur trupin e të ndjerit dhe mbetjet i ka hedhur në një vend deri tani të pa identifikuar, me qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se i pandehuri ka qenë i dënuar më parë për vrasjen e bashkëshortes nga Gjykata e Lozanës, në Zvicër.

“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/