Bumerangu më i vjetër në botë është më i vjetër nga sa mendohej më parë, duke hedhur dritë të re mbi zgjuarsinë e njerëzve që jetonin në atë kohë.

Vegla, e cila u gjet në një shpellë në Poloni në vitin 1985, tani mendohet të jetë 40,000 vjeçe, transmeton Telegrafi.


Arkeologët thonë se është krijuar nga dhëmbët e një mamuthi me një nivel të mahnitshëm aftësie.

Hulumtuesit arritën në përfundimin nga forma e saj se do të kishte fluturuar kur të hidhej, por nuk do të ishte kthyer te personi që e hidhte.

Me shumë mundësi është përdorur në gjueti, megjithëse mund të ketë pasur vlerë kulturore ose artistike, ndoshta duke u përdorur në një lloj rituali.

Bumerangu prej fildishi mamuthi u zbulua në shpellën Oblazowa në Poloninë jugore.

Fillimisht mendohej të ishte rreth 30,000 vjeç. Por datimi i ri dhe më i besueshëm me radiokarbon i kockave njerëzore dhe shtazore të gjetura në vend, e vendos moshën midis 39,000 dhe 42,000 vjeç.

"Është bumerangu më i vjetër në botë dhe i vetmi në botë i bërë në këtë formë dhe kaq të gjatë që gjendet në Poloni", tha Dr. Sahra Talamo e Universitetit të Bolonjës, Itali.

Ai jep një "pasqyrë të jashtëzakonshme" mbi sjelljen njerëzore, tha ajo, veçanërisht se si Homo sapiens që jetoi deri në 42,000 vjet më parë mundi të formonte "një objekt kaq të përsosur" me dijeninë, se mund të përdorej për të gjuajtur kafshë.

Bumerangu është jashtëzakonisht i ruajtur mirë, me shenja që sugjerojnë se ishte lëmuar dhe gdhendur për t'u përdorur nga një individ me dorën e djathtë.

Bumerangu në përgjithësi shoqërohet me kulturën aborigjene në Australi.

Megjithatë, gjetjet e rralla në të dhënat historike jashtë Australisë sugjerojnë se ato janë përdorur në kontinente të ndryshme.

Bumerangu më i vjetër i njohur nga Australia daton rreth 10,500 vjet më parë, i bërë nga druri. Por imazhet më të vjetra të bumerangut në Australi janë piktura arti shkëmbor 20,000 vjeçare, sipas muzeut kombëtar të Australisë.

Një bumerang druri që daton 7,000 vjet më parë është gjetur në Jutland, një gadishull midis Danimarkës dhe Gjermanisë, ndërsa fragmente të një bumerang lisi 2,000-vjeçar - i cili kthehet - janë gjetur në Holandë.

Hulumtimi nga një ekip shkencëtarësh nga Polonia, Italia, Gjermania, Franca, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar është botuar në revistën PLOS One. /Telegrafi/