LAJMI I FUNDIT:

Budapesti – Aq afër, por edhe aq larg

Budapesti – Aq afër, por edhe aq larg

Njëri ndër disa kryeqytete “në Danubin e bukur e të kaltër”, Budapesti me të drejtë ka epitetin e kryeqyteteve më të bukura të Evropës. Një qytet i mrekullueshëm, shumë i bukur, qytet me histori dhe kulturë të madhe.

Përgatiti: Robert Bacaj
Regjisor, RTK


Në vitin 1987, pjesët e bërthamës së vjetër Buda dhe Pest, janë shpallur trashëgimi botërore kulturore. Është një qytet,  i cili është krijuar nga bashkimi i tre qyteteve, Buda, Pest, dhe Obuda. Ai është qyteti më i madh më Hungari dhe ndër qytetet më të bukura në botë. Ai është i ndarë në dy pjesë nga lumi Danub dhe ka ndërtesa  të neo-rezistencës

Jo edhe aq herët, bashkë me Vjenën, qendër e Monarkisë së fuqishme Habsburge, Budapesti, sot ka rreth dy milionë banorë dhe është njëri ndër qytetet më të vizituara turistike të Evropës Qendrore. Qytet të cilin Danubi i gjerë nuk e ndan, por e lidh me shumë ura romantike.

Metropoli i unitetit të shëndetshëm mendor, të rregullimit turistik dhe të marrëdhënieve specifike të cilat ia vlen të përjetohen si thesar i ndjenjave të këndshme.

Budapestin, të cilit mund t’i përshkruhen shumë  peizazhe të Londrës, e quajnë Parisi i Evropës Qendrore…Një qytet i mrekullueshëm, shumë i bukur, qytet me histori dhe kulturë të madhe. Nga pikëpamja arkitekturore Budapesti cilësohet një kryevepër. Stili arkitekturor i ndërtimeve mjaft të bukura të këtij qyteti, i bazilikave dhe katedraleve, i kishave dhe objekteve të tjera të kultit, i kështjellave, muzeve, është më shumë barok, neoklasik apo art-nouveau. Janë ndërtesa që mbartin një lloj romantizmi, një romantizëm që bëhet edhe më i bukur nga prania e lumit Danub.

Trashëgimia botërore e rëndësisë hungareze është Ura e zinxhirtë. Ura e zinxhirtë (Széchenyi lánchíd) është një ndër simbolet më të dallueshme të Budapestit. Ura në njëfarë mënyre i ka kontribuar bashkimit të qytetit, që është arritur përfundimisht në vitin 1873. Ia vlen të thuhet edhe diçka më shumë për këtë urë të magjishme. Kur ajo u ndërtua dhe filloi të funksionojë në vitin 1849, ishte unike për dy arsye: ishte nyja e parë që bashkonte qytetin, ndërsa aristokracia, e cila nuk paguante taksa, ishte e detyruar që të paguante taksën e kalimit të urës, ashtu sikurse bënin të gjithë njerëzit e tjerë.

Pallati mbretëror i Buda-s. Kur kaloni urën, hipni me teleferik deri te bërthama historike e Budas – pallati dhe gërshetimi i rrugicave të ngushta rreth saj.

Galeria Kombëtare Hungareze, e cila përfshin tre krahët e Pallatit Mbretëror, ka rreth 100.000 vepra artistike nga shekulli XI e këndej, duke përfshirë gjetjet arkitektonike të objekteve të gdhendura, relieve dhe piktura.

Në sheshin Kossuth tér gjendet Parlamenti (Országház), njëri ndër simbolet kryesore të Budapestit. Kjo ndërtesë e madhe është parlamenti i tretë më i madh në botë dhe i dyti në Evropë, menjëherë pa atij në Bukuresht. Është hapur në vitin 1896, duke shënuar simbolikisht përvjetorin e njëmijtë të ardhjes së hungarezëve në atë rajon.

“Këpuca hebraike”, mu pranë bregut, në afërsi të drejtpërdrejtë të Parlamentit gjendet përmendorja përkushtuar hebrenjve të cilët nazistët hungarezë, gjatë Luftës së Dytë Botërore i kanë hedhur në Danub. Gjithmonë është i mbushur përplot me lule dhe qirinj të cilët janë dëshmi që viktimat e pafajshme nuk janë harruar.

Sheshi i heroit (i Heronjve). Rruga e Andrashit është njëra ndër më të bukurat në qytet, me ndërtesat e bukura të paraluftës. Në të janë blloqet e banimit, të punuara në mënyrën ekskluzive, muzetë, përfaqësitë e kompanive të huaja dhe ambasadat.

Në vitin 1896 është inauguruar hekurudha nëntokësore nëpër tërë gjatësinë e Avenysë së Andrashit. Vetëm metroja londineze është më e vjetër se kjo e Budapestit.

Në qendër është Përmendorja e mileniumit, e cila dominon me shtyllën e lartë 36 metra në majën secilës gjendet shtatorja krahëhapur e arkangjelit Gavrilo. Është një vend që të mrekullon me harmoninë e veprave të artit që e përbëjnë këtë shesh me emër në histori. Në qendër të tij lartësohet deri në 36 metra Monumenti Ushtarak, në majë të të cilit gjendet Engjëlli Gavril, i cili mban në dorë Kurorën hungareze si dhe një kryq.

Poshtë, në bazën e këtij monumenti mbresëlënës dhe impozant, gjendet Arpad dhe gjashtë udhëheqësit e Magjarëve, të hipur mbi kuaj, të cilët morën rrafshnaltën e Karpateve. Aty pranë gjendet edhe monumenti më impozant i kombit hungarez – një arkivol i zbrazët që është në nderim të një prej njerëzve të rezistencës së revoltës së njohur të vitit 1956 kundër pushtimit sovjetik.  Në pjesën e pasme të monumentit, në krahun e djathtë dhe të majtë të tij, janë të vendosura skulpturat e mrekullueshme të 14 udhëheqësve dhe politikanëve më të shquar hungarezë – që nga mbreti Stephenon deri tek Lajos Kossuth.

Aty, mes tyre, edhe një emër legjendar jo pak i njohur për ne shqiptarët – Janos Huniad, i cili udhëhoqi hungarezët në periudhën 1446-1452. I njohur për ne shqiptarët per faktin se heroi ynë kombëtar Skënderbeu ka shkuar në ndihmë të ushtrisë së lavdishme të Huniadit në luftën kundër turqve.

Nga ana e majtë, në drejtim të parkut është Muzeu i Arteve Aplikative. Kjo godinë e mrekullueshme, e cila u ndërtuar në vitin 1906, është një vepër e bukur arti me një koleksion të pasur, mbresëlënës, te mrekullueshëm, me vepra të spikatura arti, shumë prej të cilave, sidomos pikturat, mbajnë për autorë emra të dëgjuar mjeshtërish me famë botërore. Aty, në këtë muze, ndodhen, mes të tjerash, edhe shtatë piktura të piktorit të madh El Greko. Ndërkaq përballë tij, nga ana tjetër e Sheshit të heroit është Pallati i Arteve (Mucsarnok).

Budapesti është plot me muze dhe galeri, gjithashtu ka edhe ekspozita të shumta të përkohshme në kategori të ndryshme.

Një nga muzetë që pasuron vlerat e pallatit mbretëror dhe të Kështjellës së Budapestit është dhe Muzeu Ludwig. Ky muze, i njohur edhe si Muzeu i Artit Modern, përmban vepra të artit modern amerikan, si dhe vepra të artisteve modernë francezë, gjermanë dhe rusë të 50 viteve të fundit. Mes tyre dallohen dhe vepra moderne të artistëve hungarezë të dhjetëvjeçarit 1990.

Muzeu i Historisë së Budapestit, i njohur ndryshe edhe si Muzeu i Kështjellës, paraqet një histori të pasur 2000 vjeçare dhe ndodhet e “vendosur” me shumë kujdes dhe shije në tre kate të pallatit mbretëror.

Parku më i dashur i Budapestit pas ishullit të Margitës është Parku i Qytetit (Városliget), i cili gjendet pas Sheshit të Heroit dhe nga ana e djathtë e tij, nëse shkoni deri te ai nga drejtimi i qendrës së qytetit.

Aty është edhe (Vajdahunyad Castle), e cila është ndërtuar nga viti 1986 deri më 1908, në bregun e liqenit Varosliget. Pavijonet janë të ndërtuara në stile të ndryshme, gotik, barok dhe renesancë.

Bazilika e Shën Ishtvanit (Shën Stefanit). Kisha më e madhe në qytet (Szent István Bazilika) e vendosur në Szent István tér. Brenda kishës gjendet relikti më i madh hungarez dhe njëherësh shumë i pazakonshëm, – dora e djathtë e mbretit të parë hungarez, Stjepanit. Ndërtimi ka zgjatur 54 vjet. Është një ndërtesë madhështore, e bukur, tërheqëse, joshëse, ndërtuar sipas stilit neoklasik, që qëndron hijerëndë vetëm disa metra larg ujërave të Danubit.

Ndërtimi i plotë i kësaj bazilike tepër interesante përfundoi në vitin 1905. Atmosfera që krijohet brenda saj është magjike nga të gjitha pikëpamjet. Qetësia e shenjtë që mbretëron në hapësirat gjigante të bazilikës bëhet akoma edhe më e shenjtë nga gjithë ai shkëlqim dritash, ngjyrash dhe ari që mbulon çdo centimetër te bazilikës, sepse atje çdo këd i saj është i punuar dhe i zbukuruar me ornamente nga më fantastiket.

Sipas legjendës, Asztrik, kryemurgu i manastirit të Benediktëve ne Pannonhalma, në anën perëndimore të Danubit, i cili paraqiti kurorën tek Shën Stefani si dhuratë nga ana e Papa Silvestro i Dytë ne vitin 1000, ligjëroi në këtë mënyrë qeverimin e mbretit të ri dhe konfirmoi mbretërinë e tij në Romë kundër Kostandinopojës. Kjo kurorë, me kryqin karakeristik të përkulur, zbukurimet dhe ornamentet e varura tek çdo anë e tij si dhe pllakëzat me Apostujt, datohet në shekullin e 12-të.

Kurora u zhduk shumë herë gjatë shekujve, por asnjëherë nuk humbi, sepse pas çdo zhdukjeje, ajo rishfaqej në një kohë tjetër, sado që në disa raste zhdukja e saj ndodhi për një kohë tepër të gjatë.

Fakti që të gjitha vendimet ligjore jepeshin “në emër të Kurorës së Shën Stefanit”, ajo u quajt si një simbol i gjallë dhe kështu vazhdon të cilësohet edhe në ditët e sotme.

Sinagoga e madhe në rrugën Dohány utcai Zsinagóga, Astoria nëntokësore, me 3000 besimtarë të vet që mund t’i pranojë, është sinagoga më e madhe evropiane dhe e dyta në botë, pas asaj në Nju-Jork.

Opera e Budapestit, përbën një nga kryeveprat e artit arkitekturor të këtij qyteti, skena magjike e së cilës është “dëshmitare” 125 vjeçare e sa e sa shfaqjeve nga krijimet e famshme operistike. Ky pallat madhështor arti, vepër e arkitektit Miklos Ybl, që u ndërtua në vitin 1884, të magjeps me pasurinë e pabesueshme të koleksionit të veprave të artit.

Qyteti të mrekullon me gjelbërimin e jashtëzakonshëm dhe me disa ndërtime tejet të bukura, ku spikat dhe dominon me madhështinë dhe hijeshinë e saj Kështjella (Varhegy). Është mbresëlënëse sa për përmasat e saj (e gjatë 1,2 kilometra dhe e lartë 170 metra), aq edhe për arkitekturën e bukur dhe mjeshtërinë e ndërtimit. Ajo që shumë kohë më parë u ndërtua për të qenë një pallat mbretëror, vazhdon të “mbretërojë” edhe sot e kësaj dite me “pushtetin” e madhështisë dhe hijeshisë së saj të rrallë.

Pikërisht për vlerat e saj të rralla, të jashtme dhe të brendshme, kjo kështjellë është marrë në mbrojtje nga UNESCO.
Ka shumë gjëra që të befasojnë në brendësi të kësaj kështjelle, por vizitori mbetet si i shtangur nga befasia unikale që i krijohet duke u endur nëpër katakombet e saj, të cilat arrijnë deri në 28 kilometra!

Vërtet, një pasuri e rrallë, një kështjellë të cilin do ta kishin zili shumë vende.

Ishulli Margaret (Margitsziget) quhet edhe fusha e lojës e qytetit. Ky ishull posedon çdo gjë për pushim – nga pishinat dhe qendrat spa, terrenet sportive dhe të tjera, stadiume, teatro, kopsht japonez, male, shtigje për vrapim në mal.  /Telegrafi/