LAJMI I FUNDIT:

Bruno Selimaj- një histori suksesi, sofër dhe shtëpi e vendimeve të mëdha

Bruno Selimaj- një histori suksesi, sofër dhe shtëpi e vendimeve të mëdha

Pavarësisht faktit ku jeton, dhe vepron, dashuria e madhe për vendin e origjinës, mbetet e pazëvendësueshme për shumë shqiptarë që jetojnë në Tokën e Premtuar, apo përtej Oqeanit Atlantik

Është Bruno Selimaj, i cili me dekada ka punuar dhe vepruar që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran.


Intervistoi: Lumturije Bekaj

Shqiptarët në këtë vend kanë arritur shumë suksese në shumë fusha, por fusha e gastronomisë është ajo që shqiptarët i bënë më të dalluar se komunitetet tjera që jetojnë në Amerikë.

Bruno Selimaj, i cili përpos suksesit në gastronomi, njihet edhe njëri ndër shqiptarët që më së shumit ka kontribuuar për çështjen e Kosovës, për shumë dekada, e ku restoranti i tij, ka qenë një sofër shqiptare, ku kanë ngrënë të gjithë bashkë, ka qenë një shtëpi ku janë mbledhur të gjithë bashkë, vetëm e vetëm për të diskutuar që çështja e Kosovës të jetë temë diskutimi në qarqet më të rëndësishme amerikane.

Ky vend që shpesh është quajtur edhe vendi i marrjes së vendimeve të mëdha për Kosovën, është edhe vendi ku është formuar edhe Liga Shqiptaro-Amerikane në krye me Joseph Giogradin, vendi ku shqiptarët janë takuar me shumë senator e kongresmenë amerikanë, e po ashtu edhe vendi ku janë marrë vendime për të ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare e Kosovës.

Ai veçohet njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj në Amerikë, sa përket ndihmës me mjete financiare, jo vetëm për lobimin e Kosovës tek senatorët dhe kongresmenët amerikan, por edhe për ndihmën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shumë familje tjera në Kosovë dhe më gjerë.

Në një bisedë për Telegrafin, Bruno Selimaj, tha se prapë është i gatshëm që të bëjë punën dhe veprimet e njëjta për Kosovës dhe për kombin në përgjithësi, nëse është e domosdoshme një gjë e tillë. Megjithatë, ai nuk e përjashtoj mundësinë e aktivizimit të lobit shqiptarë në Washington, pasi që siç tha ai ’ka ardhur koha qe lobi shqiptar të bëjë punën e vet, ashtu siç e ka bërë më përpara”.

Njëherazi ai ka edhe një porosi për udhëheqësit e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët, sipas tij, duhet ta përqendrojnë vëmendjen e tyre tek lobimi në Washington, sepse, siç tha ai “vitet e fundit Serbia ka bërë hapa të mëdha në këtë drejtim”.

Fillimi i jetës në Amerikë- vështirësitë, sfidat dhe deri të suksesi

Kushtet ekonomike kanë qenë ato që Selimaj, kishte vendosur të shkel Tokën e Premtuat. Ishin 10 fëmijë dhe prindërit, ishim pa shtëpi dhe jetonim në kushte shumë të vështira. Ai në Amerikë ka ardhur në vitin 1971, fillimisht vetëm, dhe pas një kohe edhe anëtarët tjerë të familjes.

“Vendimi ka qenë i vështirë për tu larguar nga vendlindja, por kushtet e rënda ekonomike ishin ato, që na detyruar të largohesh dhe nuk kishin rrugëdalje tjetër”, tha ai.

Ai vjen nga rajoni i Plavës dhe Gucisë, dhe arsye se pse kishte zgjedhur Amerikën ishte sepse në atë kohë në Amerikë kanë ardhur shumë njerëz nga ky rajon dhe kanë bërë një pasuri modeste, ku kishin blerë shtëpia, dhe kishin bërë një jetë më të mirë.

Duke folur për fillimin e jetës ë tij në Amerikë, Bruno Selimaj shpalos për Telegrfain ditët e para të ardhjes së tij në këtë vend.

“Kur kam ardhur në Amerikë, tre muaj nuk kam gjetur punë, kam qëndruar pa punë dhe gjatë asaj kohe kam qenë shumë i dëshpëruar, por pas tre muajsh kam gjetur punë në një restorant si pjata larës, ku kam fituar 10 dollarë në ditë dhe 60 dollarë në javë, dhe kjo ka qenë paga ime në atë kohë. Me këtë pagë isha i kënaqur, për shkak se prej tyre 50 dollarë i kurseja ndihmoja familjen dhe vetëm 10 dollarë i harxhoja. Pastaj, pas një koha kam filluar punën si ndihmës kamerier, mandej si kamerier, duke punuar 7 ditë në javë”, tha ai.

Por, si i lindi ideja që të jetë pjesë e gastronomisë në shtetin më të fuqishëm në botë, dhe veprimtarinë e tij ta ushtron në kryeqytetin e botës, Manhattan, për këtë Selimaj ka një shpjegim.

“Ideja që të jem pjesë e gastronomisë në shtetin më të fuqishëm në botë, ka lindë nga puna që kam bërë nëpër restorante, pra nga këtu më ka lindë ideja që ta hap restorantin tim. Këtë restorant e kam që nga viti 1978 e tutje. Nuk është kollaj ta mbash një veprimtari të tillë në kryeqytetin e botës Manhattan, por më kanë ndihmuar gruaja dhe djemtë, pra familja ime. Nuk kam menduar të zgjerohem më lokale të tjera, pasi që është vështirë ta mbash një restorant të tillë. Me këtë që e kemi jemi të kënaqur”, theksoi Selimaj për Telegrafin.

Restoranti “Club A Steakhouse”- ëndërr e mishngrënies

Kur është fjala për gjetjen e vendit më të mirë për t’i dhënë vetes një rast serioz të djersitjes së mishit, disa restorante kanë tendencë të jenë më të mirët në këtë drejtim. Një shembull kryesor është “Club A Steakhouse’, që ndodhet në rrugën 240 East 58th në Manhattan, e që është për shumë kënd një ëndërr e mishngrënies.

Brenda këtij restoranti, gjendet një dekor i sofistikuar, ku i gjithë ambienti është i dizajnuar me ngjyrat kuq e zi, duke përfshirë edhe veshjen e kamerierëve, i kompletuar me dysheme druri, me mure të kuqe të zbukuruara me fotografi të klientëve më të famshëm të saj, disa dhoma të ngrënies private, një bar i katit të dytë dhe një bodrum të fshehur të verës që shërben si vendi i përsosur për të ngrënë me miqtë dhe familjen tuaj më të afërt.

Menyja është po aq mbresëlënëse sa ambienti i saj, duke ofruar gjithçka nga cilësitë e larta të mishit dhe ushqimeve të detit, deri tek varja e enëve të këndshme. Por, nuk është vetëm dekor i mahnitshëm dhe ushqimi i veçantë dhe shijshëm që e vendos këtë vend në top restorantet e kryeqytetit të botës Manhattan. Është edhe historia e pronarit , Bruno Selimaj, që me të vërtetë e bën këtë vend të veçantë.

Bruno Selimaj, solli vlerat e tij familjare dhe mikpritjen e ngrohtë në biznes duke trajtuar të gjithë mysafirët e tij sikur të ishin një familje ku hahet në shtëpinë e tij. Pas drejtimit të një restoranti italian të lulëzuar për 30 vjet, Bruno vendosi të bënte diçka që do të përfshinte gjithë familjen e tij, dhe të linte pas një trashëgimi të përjetshëm. Pra, ai e ringjalli restorantin e tij italian në një ndërtesë të re të quajtur “Club A Steakhouse”.

Ai tregon edhe arsyet se pse shkronja “A” shërbeu si një domethënie emrin e restorantin, për të tre djemtë e tij, Arbeni, Agroni dhe Albani, të cilët bashkë punojnë në restorant dhe vazhdojnë të mbajnë vlerat themelore të babait të tyre, si të mikpritjes familjare, ushqimit cilësor dhe shërbimit të shkëlqyeshëm.

“Shkronja A ka dy kuptime, e para është se me A fillojnë emrat e tre djemve të mi, Arbeni, Agroni dhe Albani, dhe kuptimi i dytë është Albania. Të gjithë punojmë bashkë, pa dallim me djemtë e mi, unë i dëgjoj ata dhe ata më dëgjojnë mua, pra kemi një bashkëpunim reciprok”.

Ai tregon se për atë dhe djemtë e tij, “Club A Steakhouse”, nuk është thjesht një restorant, por shumë më shumë.

“Është një shtëpi e dytë ku flasin me njerëz të rinj, shoqërohen me miqtë e vjetër, shohim se si klientët tanë shijojnë ushqimin tonë dhe më e rëndësishmja është se shpesh herë i kujtojmë bashkë me miqtë e mi kohërat e kaluara që gjithmonë do të mbesin në kujtesën tonë. Është një biznes i ngushtë familjar, dhe mundohemi të ofrojmë një eksperiencë të paharrueshme në ngrënie midis familjes dhe miqve”, theksoi Bruno Selimaj për Telegrafin.

Duhet përmendur se restoranti legjendar i Bruno Selimaj, i krijuar me emrin Club A Steakhause”, është lavdëruar si një nga “përvojat më të mira të shkollës së vjetër në New York City”.

Lobimi, takimi me senatorë dhe kongresmenë, vendimet e mëdha

Në lokalin e Bruno Selimaj, është formuar Liga Shqiptaro-Amerikane, në krye me Joseph DioGuardin, ku nga ky vend ka filluar lobimi për çështjen e Kosovës.

“Kemi qenë tetë vetë kur kemi vendosur të formohet kjo Ligë, pastaj janë mbajtur mbledhje të tjera me senator dhe kongresmenë. Senatori Bob Doll, ka qenë ai që na ka ndihmuar shumë sa i përket çështjes së Kosovës. Prej këtij vendi kanë dal vijat e kuqe e Kosovës, kur atdhetari, veprimtari dhe biznesmeni Xhim Xhema i ka kërkuar ndihmë senatorit Bob Doll, kur ka fituar Xhorxh Bush, babai i presidentit Xhorxh Bushit të ri, kur Xhim Xhema në këtë lokal i ka thënë z. Doll që Kosovën mos ta prek Jugosllavia. Pra janë marrë vendim, janë diskutuar tema shumë të mëdha të nxehta. Po ashtu, vlen të përmendet se në këtë lokal jemi takuar edhe më Richard Holbrukun, William Wolkerin e të tjerët. Jam shumë krenar për të gjitha, që kemi bërë për Kosovën dhe kombin në përgjithësi. Këtu ka qenë një sofër shqiptare, ku kemi ngrënë të gjithë bashkë, ka qenë një shtëpi ku jemi mbledhur të gjithë bashkë, dhe jemi ndjerë të sigurt për të diskutuar vetëm e vetëm, që çështja e Kosovës të jetë temë diskutimi në qarqet në atë kohë më të rëndësishme amerikane”, tha Selimaj.

Ai bëri të ditur se asnjëherë nuk i kam ra pishman për punën që ka bërë për çlirimin e Kosovës dhe Pavarësinë e saj.

“Unë mendoj për vete sikur Sylejman Vokshi kur fliste në epokën para gjyqit “po t’i kisha edhe tri jetë, do t’i kisha dhënë për kombin”. Prandaj edhe neve na ka takuar të bëjmë më të mirën për atdheun dhe kombin”, tha në vazhdim të bisedës Bruno Selimaj.

Edhe pse ai njihet njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj në Amerikë që ka bërë për çështjen e Kosovës, ai thotë se angazhimet, veprimet dhe kontributin e kanë bërë të gjithë bashkë, jo vetëm ai, dhe sipas tij, “në asnjë moment nuk kanë menduar, kurrë asnjë herë, të themi mjaftë më”.

“Unë kohën, punën dhe angazhimet e mija i kam ndarë në tri pjesë, një pjesë ka qenë dhe është të mbajë familjen time, një pjesë ta mbajë biznesin, dhe pjesa tjetër të ndihmojë kombin. Dhe asnjë herë nuk kam menduar të pendohem apo të jem pishman për punën që e kam bërë për kombin dhe Kosovën, dhe shqiptarët në përgjithësi”, tha ai, duke shtuar se prapë do të jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën, në çdo formë, aq sa mundemi.

Diaspora- zbehja sa i përket unifikimit të çështjes kombëtare
Se sa është tani unifikues komuniteti shqiptarë në Amerikë, Selimaj shpjegon se para 10-15 vjetëve ka qenë shumë unifikues, dhe shumë më i mirë, kurse tani është zbehë shumë, sidomos pas çlirimit të Kosovës. ka ra shumë ky unifikim.

“Kjo ka ndodhë mendojë unë si në Shqipëri e po ashtu edhe në Kosovë, Maqedoni, e Mal të Zi, pra po flas për të gjithë shqiptarët, se një pjesë e vogël e tyre është pasuruar shumë shpejtë, dhe kur kjo shtresë e njerëzve është pasuruar shumë shpejtë, migracioni apo diaspora është zbehë shumë në raport me këta njerëz, pasi që ata kanë bërë miliona e miliona dollarë për një kohë shumë të shpejtë. Diaspora është zbehur shumë sa i përket unifikimit të çështjes kombëtare. Unë për çdo vjet shkoj në Shqipëri, Kosovë dhe nganjëherë edhe në Maqedoni, dhe e them se më brengos fakti që rinia dëshiron me të madhe me dal në vendet të ndryshme të botës për një jetë më të mirë, me arsyetimin se nuk kanë punë dhe nuk kanë të ardhura të duhura. Ata janë të zhgënjyer nga nepotizmi, punësimet partiake e shumë gjëra të tjera”, theksoi Selimaj, duke shtuar se kur është në Kosovë e Shqipëri nuk ka dëshirë të takohet me asnjë lider, për arsye se kur shkon atje, shkoj për të pushuar dhe jo për tu takuar me ta, pasi që jemi pak të zhgënjyer me klasën politike të të dyja shteteve shqiptare.

Megjithatë, Selimaj thotë se ai për nga natyra asnjëherë nuk i ka ndarë shqiptarë e Kosovës dhe të Shqipërisë, e Maqedonisë e as nuk ka bërë ndarje fetare si katolik e mysliman apo ortodoks, e as partiak, sepse për Brunon, të gjithë janë shqiptar.

“Mua nuk më interesojnë partitë, por vetëm çështja kombëtare, që kjo të jetë mirë dhe të jetë aty ku ne kemi dëshirë”, tha ai.

Kosova pas çlirimit dhe pavarësisë së saj-zhvillimi ekonomik

Kosova ka 20 vjet të çlirimit dhe 11 vjet të pavarësisë së saj, dhe për gjithë këto vite Bruno Selimaj ka një shpjegim.

“E kam menduar shumë më ndryshe Kosovën, më të përparuar dhe më të zhvilluar. Pasi që kam një eksperiencë në Amerikë gati prej 50 viteve, dhe kur shoh se si liderët udhëheqin me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe me trojet tjera shqiptare, është pak për tu dëshpëruar. Nuk ka qenë dashtë të pasurohet kaq shpejtë dhe kaq shumë një pjesë e njerëzve, por do duhej që ata ta kenë një pasuri normale, por jo një pasuri marramendëse”, tha ia.

Si një biznesmen i suksesshëm në Amerikë, ai zhvillimin ekonomik në Kosovë, sheh me shumë probleme dhe ngecje, e dimë. Për këtë ai thotë se fajtore po si po është politika, por edhe ata biznesmen që kanë bërë biznese të mëdha në Kosovë, e të cilët munden të punësojnë më shumë njerëz dhe të ketë investime më të mëdha në Kosovë.

Por, si e arsyeton hezitimin e diasporës për të investuar në trojet shqiptare, dhe çka mendon ai për atmosferën që duhet krijuar diasporës liderët politik shqiptarë, në mënyrë që ajo të ndihet e sigurt për të investuar në vendin e origjinës, Selimaj thotë se për momentin, ai nuk është i interesuar të investoj në Kosovë.

“Ende nuk janë të pjekura kushtet për një gjë të tillë, sepse ka shumë vështirësi dhe probleme sa i përket çështjeve administrative si p.sh, sa i përket marrjes së licencave, marrjes së punës, e këto, janë produkt që kanë ardhur nga klasa politike. Edhe çështja e sigurisë dhe sundimi i ligjit në Kosovë, kanë bërë që të ketë hezitim nga diaspora për të investuar”, tha ai.

Megjithatë, ai mendon se në Kosovë të investosh është shumë mirë, dhe është më lehtë të udhëheqësh biznesin në Kosovë se sa në Amerikë, sepse ka punëtor më shumë, rinia është shumë më e shënosh, është një ambient të të bërit biznes shumë më i favorshëm se në Amerikë.

Zhvillimet në Kosovë-puna e liderëve dhe partive politike, dialogu

Sa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, sidomos punën e liderëve të partive politike, Selimaj deklaroi se të gjithë liderët në Kosovë, duhet të merren vesh dhe të koordinohen me njëri tjetrin më mirë, të jenë bashkë në vendimet më të rëndësishme dhe mos të jenë të përçarë.

“Dua të them se si individë kemi shumë njerëz të mirë dhe arrijmë shumë sukses kudo në botë, kurse si grup apo koalicion është pak e vështirë të funksionojmë. Kjo ndoshta për shkak të lakmisë dhe dëshira e madhe për karrige apo poste, ka bërë që të jemi këtu ku jemi”, tha ai.

Kurse, sa i përket dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Selimaj është optimist dhe beson se fundi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë me një marrëveshje të ndërsjellët, ku Serbia do ta njoh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

“Kjo do të arrihet me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, pasi që ata do t’i shtynë shqiptarët dhe serbët ta arrijnë një marrëveshje të tillë. Unë e shoh Amerikën pjesë të kësaj marrëveshjeje dhe të vendimeve të mëdha që kanë të bëjnë për Kosovën, sepse pa Amerikën ne nuk mund të fitojmë asgjë”, tha ai në bisedën më Telegrafin.

Në anën tjetër, lidhur me idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, rreth ndryshimit të kufijve, Selimaj nuk besoj se ideja e presidentit Thaçi për ndryshim apo korrigjim të kufijve, është e mirë, përkundrazi, kjo nuk duhet të diskutohet në asnjë mënyrë, sepse sic tha ai “po të preken kufijtë, atëherë aty shkaktohen probleme të reja, apo siç thuhet hapet kutia e Pandorës, dhe dalin probleme të tjera me jugun dhe pjesë tjera të Kosovës”.

Për të gjitha këto zhvillime Bruno Selimaj, theksoi se Diaspora, duhet të jetë më kritike, më sugjerues, sepse ka të bëjë me çështjen e Kosovës dhe në përgjithësi më çështjen kombëtare.

Ai megjithatë, ka një porosi për të gjithë liderët shqiptarë kudo që janë, që të zbatohet ligji, të jetë i plotfuqishëm dhe liderët apo një pjesë e njerëzve mos jenë shumë lakmitarë për pasuri.

Aktivizimi i diasporës në Amerikë rreth lobimit

Se sa është e nevojshme që shqiptarët edhe një herë të bëhen bashkë dhe të fillojnë lotimin në Washington për vendin, Selimaj tha se jemi duke biseduar prapë me disa shokë që të vazhdojmë prapë me këtë çështje.

Ai theksoi se janë në dijeni se Serbia ka marrë një ‘ofensivë’ të fortë të lotimit të saj kundër Kosovës, përderisa shqiptarët në Amerikë disi kanë ra në gjumë, por një aktivizim i tillë i shqiptarëve Selimaj tha se shumë shpejtë do të ndodhë.

“Ne kemi pasur Këshillin Kombëtar Shqiptaro –Amerikanë, i cili ka punuar shumë sa i përket çështjes së Kosovës, dhe besoj se ka nevojë që ky Këshillë të aktivizohet prapë, sepse Serbia po punon shumë dhe po lobon kundër Kosovës. Ne prapë jemi të gatshëm të bëhemi bashkë për çështjen e Kosovës, siç kemi qenë bashkë në kohërat më të vështira”, bëri të ditur Selimaj për Telegrafin.

Një bashkim i tillë, për Selimajn nuk është i vështirë, dhe se kjo mund të bëhet, sepse ka vullnet dhe dëshirë, dhe njerëzit me vullnet të mirë dhe me sy largpamës mund ta bëjnë këtë bashkim shumë kollaj.

“Ata që e ndjenë vetën shqiptarë, sidomos ata që ia donë të mirën kombit shqiptarë, nuk është ndonjë sakrificë shumë e madhe për ta”, tha ai.

Por a është më vështirë të bëheni bashkë shqiptarët tash, apo atëherë, kur Kosova ka qenë në luftë, për këtë Selimaj, thotë se është një pikëpyetje e madhe.

“Atëherë Kosova digjej, njerëzit vriteshin, dëboheshin nga shtëpitë e tyre, kurse tash diaspora po mendon se ata në Kosovë. Liderët dhe partitë politike, duhet të bëjnë punën e tyre, pasi që janë bërë të pasur, dhe të dijshëm”, theksoi ai. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
Kurti përmendi Thaçin në 11 vjetorin e marrëveshjeve në Bruksel, reagon Çitaku: E di që po të mungon, duro dhe pak - dielli do të lind përsëri

Kurti përmendi Thaçin në 11 vjetorin e marrëveshjeve në Bruksel, reagon Çitaku: E di që po të mungon, duro dhe pak - dielli do të lind përsëri

Lajme
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Osmani: Do ta njoftojë qeverinë për sulmin në Banjskë, pastaj do të vendoset për Ballkanin e Hapur

Osmani: Do ta njoftojë qeverinë për sulmin në Banjskë, pastaj do të vendoset për Ballkanin e Hapur

Politikë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia të mërkurën do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia të mërkurën do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
Kalo në kategori