Këngëtari i njohur Bruno Pollogati, i njohur me emrin artistik Bruno Revolt, ka përfunduar suksesshëm turneun e tij veror me një koncert spektakolar në Tiranë.

Atmosfera e zjarrtë e natës përmbyllëse ka qenë një sukses i vërtetë për artistin, dhe këtë e ka ndarë me fansat e tij përmes një videoje të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.


Në pamjet e ndara, publiku i Tiranës shihet duke e përkrahur fuqishëm, ndërsa Bruno performon disa nga hitet e tij më të njohura.

Gjatë turneut, Bruno Revolt ka ndarë video të ngjashme edhe nga koncertet e tjera që ka mbajtur në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Secila prej tyre shfaq energjinë dhe përkushtimin që ai dhe fansat e tij kanë pasur në çdo paraqitje, duke e bërë këtë verë një nga më të suksesshmet në karrierën e tij.

Përveç koncerteve të shumta, Bruno ka qenë shumë aktiv edhe në skenën muzikore, duke sjellë disa bashkëpunime të suksesshme.

Ndër to përfshihen hite me artistë të njohur si Albërie Hadërgjonaj, Poni, dhe bashkëpunimi i fundit me Luiz Ejlli, Lumi B dhe Naldin, që është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku.

Bruno Revolt ka dëshmuar edhe një herë se është një nga artistët më të pëlqyer dhe më energjikë të muzikës moderne shqiptare. /Telegrafi/