Bronkoskopia: Si duket procedura që përdoret për sëmundjet e mushkërive

Kur rekomandohet, sa zgjat dhe çfarë ndien pacienti gjatë ekzaminimit
Bronkoskopia është një nga procedurat më të rëndësishme diagnostike dhe terapeutike në pulmologji, pra në trajtimin e sëmundjeve të mushkërive dhe rrugëve të frymëmarrjes. Ajo u fut në praktikën klinike në vitin 1966 nga mjeku japonez Shigeto Ikeda dhe që atëherë është bërë një mjet i domosdoshëm në mjekësinë moderne.
Bronkoskopia – procedurë minimalisht invazive
Bronkoskopia është një procedurë minimalisht invazive që shërben për diagnostikimin e problemeve të mushkërive dhe rrugëve të frymëmarrjes. Ajo mundëson ekzaminimin e trakesë dhe bronkeve, si dhe marrjen e mostrave të indeve ose sekrecioneve për analiza të mëtejme laboratorike.
Llojet e bronkoskopit
Ekzistojnë dy lloje kryesore të bronkoskopit:
▪ Bronkoskopi fleksibël
Është një tub i hollë dhe i përkulshëm, i pajisur me fibër optike, kamerë dhe burim drite. Përdoret më së shpeshti në praktikë sepse kalon më lehtë nëpër rrugët e frymëmarrjes dhe mundëson një pamje të detajuar të bronkeve dhe mushkërive në kohë reale. Me të, mjeku mund të marrë biopsi, të heqë sekrecione, të ekzaminojë rrugët e frymëmarrjes dhe të marrë mostra për analiza mikrobiologjike.
▪ Bronkoskopi rigid (i fortë)
Është një tub metalik i ngurtë dhe përdoret në raste më të ndërlikuara. Aplikohet kur në rrugët e frymëmarrjes është bllokuar një trup i huaj i madh, në raste gjakderdhjeje të rëndë nga mushkëritë, ose kur nevojiten ndërhyrje më komplekse, si vendosja e stenteve, heqja e masave tumorale apo ndalimi i gjakderdhjes. Kjo lloj bronkoskopie kryhet zakonisht në kushte spitalore dhe nën anestezi të përgjithshme, transmeton Telegrafi.

Për çfarë përdoret bronkoskopia?
Arsyet më të shpeshta për referimin e pacientit në bronkoskopi janë:
- kollë e zgjatur me shkak të panjohur
- infeksione të përsëritura ose atipike të rrugëve të frymëmarrjes
- ndryshime të dyshimta të vërejtura në radiografi, CT apo ekzaminime të tjera imazherike të mushkërive
- Bronkoskopia përdoret edhe në qëllime terapeutike:
- për heqjen e trupave të huaj ose hapjen e rrugëve të bllokuara të frymëmarrjes
- për marrjen e mostrave për analiza të mëtejme
- për ndërhyrje që lehtësojnë ose bëjnë të mundur trajtimin e sëmundjeve të caktuara pulmonare
Kombinimi i diagnostikimit dhe trajtimit e bën bronkoskopinë një nga procedurat më të rëndësishme në pulmologjinë bashkëkohore.
Si bëhet përgatitja për bronkoskopi?
Në shumë raste, veçanërisht kur dyshohet për sëmundje serioze, mjeku kërkon paraprakisht CT të mushkërive. Ky ekzaminim ndihmon në vlerësimin e tumoreve, infeksioneve ose dëmtimeve pulmonare, për shembull si pasojë e duhanpirjes afatgjatë, dhe është kyç për vendimin nëse bronkoskopia është e nevojshme.
Para procedurës, pacienti nënshkruan pëlqimin e informuar. Mjeku merr anamnezën, kryen ekzaminimin fizik dhe vlerëson nëse ekzistojnë pengesa për realizimin e ndërhyrjes. Pacienti nuk duhet të hajë apo të pijë 6–8 orë para procedurës. Vendoset linjë venoze, monitorohen tensioni arterial, pulsi dhe saturimi i oksigjenit, ndërsa sipas nevojës kryhet edhe EKG. Kontrollohen me kujdes barnat që pacienti merr, alergjitë dhe analizat laboratorike.
Në shumicën e rasteve diagnostike, bronkoskopia kryhet me anestezi lokale, por ndonjëherë kërkohet anestezi e përgjithshme, veçanërisht kur duhet intubim ose marrje e mostrave tumorale. Bronkoskopia interventive realizohet gjithmonë në anestezi të përgjithshme, duke përdorur bronkoskopin rigid. Pacientëve shpesh u këshillohet që, sipas udhëzimit të mjekut, të ndërpresin përkohësisht barnat që hollojnë gjakun.
Sa zgjat procedura?
Në ditën e bronkoskopisë, pacienti vesh rroba spitalore dhe heq protezat dentare, aparatet e dëgjimit, lentet e kontaktit dhe syzet. Nëse planifikohet kthimi në shtëpi të njëjtën ditë, duhet të sigurohet paraprakisht shoqërim, pasi pas sedativëve nuk lejohet drejtimi i automjetit.
Infermierja kontrollon të dhënat shëndetësore, vendos kanilën intravenoze dhe lidh monitorët për funksionet vitale. Procedura kryhet me stomak bosh; pacienti merr barna qetësuese dhe anestetik lokal në formë spreji ose xheli. Bronkoskopi futet me kujdes përmes hundës ose gojës në rrugët e frymëmarrjes. Mund të ketë ndjesi kalimtare parehatie dhe nevojë për kollë, por frymëmarrja mbetet e lirë gjatë gjithë kohës.
Mjeku ndjek pamjen në ekran, shpëlan bronket me tretësirë fiziologjike sipas nevojës dhe merr mostra sekrecioni ose indi. Procedura zakonisht zgjat 20 deri në 45 minuta. Pas saj, për shkak të refleksit të dobësuar të gëlltitjes, nuk lejohet ushqimi apo pijet derisa të rikthehet ndjeshmëria në fyt, zakonisht pas rreth dy orësh. Më pas këshillohet konsumimi i sasive të vogla të ujit dhe ushqim i lehtë. /Telegrafi/











































