Britania, Gjermania dhe Franca forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës, vende të njohura si grupi E3, kanë diskutuar për forcimin e mbrojtjes kolektive dhe sigurisë në bashkëpunim me partnerët e tjerë, thuhet në një njoftim të qeverisë britanike.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron janë takuar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munich të Gjermanisë.
Zëdhënësi i Downing Street përcolli mesazhin e kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili theksoi nevojën për forcimin e sigurisë së përbashkët, shkruan skynews.
“Duhet t’i shfrytëzojmë kapacitetet tona të mëdha mbrojtëse për të forcuar sigurinë tonë të përbashkët dhe për të sjellë përfitime për qytetarët tanë”, theksoi ai.
Zëdhënësi shtoi se udhëheqësit konfirmuan “mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, veçanërisht në dritën e sulmeve të fundit të tmerrshme ruse, si dhe angazhimin për të punuar në sigurimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Megjithëse kryeministri Starmer kohët e fundit ka mbrojtur më hapur një bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian, Londra dhe Brukseli ende nuk kanë arritur përparim të rëndësishëm në forcimin e partneritetit të tyre në fushën e mbrojtjes.
Ndryshe, liderët e tre vendeve kanë deklaruar se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në luftën kundër Rusisë. /Telegrafi/





















































