Ish-presidenti i Republikës Serbe (RS) dhe lideri i Aleancës së Pavarur të Socialdemokratëve (SNSD), Milorad Dodik, dhe anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, mbeten nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar, ka konfirmuar Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar për Radio Evropa e Lirë (në gjuhën serbe).

Në përgjigje theksohet se regjimi i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar lejon vendosjen e sanksioneve ndaj "atyre që minojnë ose rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, subjektivitetin ndërkombëtar ose rendin kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës".


"Milorad Dodik dhe Zheljka Cvijanoviq mbeten nën sanksione për veprime të tilla. Sanksionet kanë një qëllim. Shpresojmë që Milorad Dodik dhe Zheljka Cvijanoviq të ndryshojnë kursin e tyre deri tani dhe të tregojnë përkushtim thelbësor ndaj respektimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe institucioneve shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës", njoftoi ministria britanike.

Ky qëndrim i Mbretërisë së Bashkuar vjen një ditë pasi Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-s i hoqi nga lista e sanksioneve Dodikut, Cvijanoviq, si dhe 48 anëtarë të tjerë të familjes së Dodikut, firmat e tyre dhe bashkëpunëtorët e afërt.

Mbretëria e Bashkuar më 11 prill 2022 vendosi sanksione ndaj Dodikut dhe Cvijanoviq për, siç u tha, përpjekjet për të minuar legjitimitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sanksionet, që përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e pasurive, ishin të parat nën regjimin e sanksioneve britanike për Bosnjën dhe Hercegovinën, theksoi atëherë qeveria britanike, duke sqaruar se "kjo nuk janë sanksione kundër Republikës Serbe, as kundër qytetarëve të saj".

Sanksionet britanike nënkuptojnë se Dodik dhe Cvijanoviq nuk mund të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar, as të përdorin ose të kenë qasje në ndonjë pasuri që eventualisht zotërojnë në këtë shtet.

Në kohën e vendosjes së sanksioneve, Dodik ishte anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa Cvijanoviq presidente e RS-së. /Telegrafi/