Brezovica po shfrytëzohet vetëm 20%, Borea me potencial, Hoti kërkon më shumë përkushtim për turizmin dimëror të Kosovës

Turizmi dimëror në Kosovë ka potencial të jashtëzakonshëm, por mungesa e infrastrukturës dhe menaxhimit po e pengon zhvillimin e tij. Kështu u shpreh Baki Hoti nga Unioni i Turizmit të Kosovës në “Përballje Podcast” ku foli hapur për problemet dhe mundësitë e sektorit dimëror.
Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.
Hoti tha se Brezovica, një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në vend, aktualisht funksionon vetëm në një pjesë shumë të vogël të kapacitetit të saj.
“Ne e kemi potenciale të jashtëzakonshme sa i përket turizmit dimëror, por sot Brezovica shfrytëzohet rreth njëzet për qind,” deklaroi ai.
Sipas tij, Brezovica duhet të jetë destinacion aktiv gjatë gjithë vitit, jo vetëm në muajt e dimrit.
“Brezovica duhet të shfrytëzohet dymbëdhjetë muaj të vitit. Ne po i shfrytëzojmë nja dy muaj, edhe atë me kushte – jo punoi lifti, jo s’punoi lifti, jo u bllokua rruga, jo s’u bllokua rruga,” tha Hoti, duke theksuar se kjo është e papranueshme për një destinacion me potencial të tillë.
Ai paralajmëroi se problemet me rrugët, energjinë dhe funksionimin e teleferikëve ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e vizitorëve dhe dëmtojnë imazhin e vendit.
“Nuk duhet të ndodhë që një vizitor nga Shqipëria me familjen e vet të vjen dhe të ngecë në rrugë për shkak të mirëmbajtjes së dobët ose pse nuk punon teleferiku. Kjo është një anti-marketing, se ai ma nuk vjen,” u shpreh Hoti.
Ai u ndal edhe te zona e Bores, për të cilën tha se ka vite që pritet të zhvillohet, por vazhdon të mbetet projekt i papërfunduar.“Borea… ka mbet që sa vite – një potencial i jashtëzakonshëm,” tha ai, duke kërkuar që kjo zonë të rikthehet në agjendën e zhvillimit turistik.
Sipas Hotit, me planifikim të duhur dhe përkushtim institucional, Brezovica dhe Borea mund të shndërrohen në dy nga destinacionet dimërore më konkurruese në rajon.
Ai theksoi se Kosova ka gjithçka që i duhet për t’u zhvilluar në këtë sektor – por nevojitet qasje serioze dhe menaxhim i vazhdueshëm.
- YouTube www.youtube.com

















































