LAJMI I FUNDIT:

Brezi fatkeq

Brezi fatkeq

Brezi më fatkeq në dekadat e fundit është brezi im, më saktë ne që jemi lindur në vitet gjashtëdhjetë, pastaj kemi krijuar familje në dekadën më të rëndë të shekullit të kaluar në vitet nëntëdhjetë dhe mbas luftës, përkushtimi ynë i vetëm në mungesë të perspektivës, ishte për t’i përgatitur fëmijët tanë për të ikur në Evropë dhe përtej oqeanit!

Kjo i bie që ne nuk kemi lindur fëmijë për të jetuar e prosperuar në Kosovë, por kemi “prodhuar” fëmijë, që të sigurojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit.


Në dekadën e fundit, gjatë takimeve me miq të respektuar të brezit tim, temë kryesore e bisedave tona është mënyra se si t’i dërgojmë fëmijët jashtë vendit!

– Unë shpëtova qe djali im siguroi vizën për Gjermani!, – thotë njëri.

– Jam duke i shikuar mundësitë që vajza apo djali im të shkojë përtej oqeanit!, – thotë tjetri.

– Sikur të dija se do të prodhonim fëmijë për Evropën, kurrë nuk do të krijoja familje, – më tha një ditë një mik imi i dëshpëruar sa s’ka më…

T’i kthehemi retrospektivës vetëm pak. Kur prindërit tanë krijuan familje, ata përveç përmbushjes së boshllëkut për të patur trashëgimtarë, përmbushnin edhe një mision tjetër: lindnin fëmijë që një ditë të sfidonin regjimin serb! A ju kujtohet kur propaganda e regjimit serb në vitet tetëdhjetë, nënat tona i konsideronte si “makina për lindje të fëmijëve?!” Tash gjërat kanë ndryshuar në formë, por në përmbajtje nuk kanë ndryshuar asgjë.

Kur para pak ditësh Presidentja e vendit provoi t’i minimizonte kërkesat e fëmijëve tanë para ambasadave të huaja duke kërkuar viza pune, ishte sprovë e dhimbshme. Edhe sikur vetëm një i ri të kërkojë vizë pune para një ambasade të huaj është situatë e dhimbshme e të mos flasim për dhjetëra mijëra të rinj tash disa vjet duke u shtyer me bërryla me njëri-tjetrin para grilave të ambasadave të huaja në Prishtinë.

Se faji është jetim, këtë e thonë vetëm shqiptarët, por fajin për këtë gjendje kaotike e bart klasa politike, derisa vargani i fëmijëve tanë në hyrje të ambasadave do të vazhdojë edhe viteve tjera. Me këtë sindrom, do të “infektohet” edhe gjenerata e radhës dhe jam fort i bindur se kështu do të përfundojnë edhe fëmijët e elitës sonë politike, ndoshta edhe më keq se fëmijët tonë!